Osmani kërkon liberalizimin: Kosova, e izoluar në zemër të Europës

Nga A2 CNN
23 Qershor 2022, 17:03 | Kosova
Osmani kërkon liberalizimin: Kosova, e izoluar në zemër të

Jemi të izoluar në zemër të Europës. Me këto fjalë presidentja e Kosovës iu drejtua liderëve të shteteve anëtare të BE në samitin e mbajtur të enjten me krerët e Ballkanit Perëndimor. Osmani, e cila e ka postuar në rrjetin social Facebook fjalimin e plotë, bëri thirrje për liberalizimin e vizave dhe u liderëve te BE të japin një mesazh të qartë.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit”, tha Osmani.

Vjosa Osmani rikonfirmoi gjithashtu qëllimin e Kosovës për të aplikuar këtë vit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe paralajmëroi se çdo vonesë për integrimin e Ballkanit Perëndimor i le hapësirë faktorëve të jashtëm si Rusia dhe Kina për të forcuar ndikimin.

“Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë”, shtoi presidentja.

Edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola u ndal veçanërisht tek liberalizimi i vizave për Kosovën. Në Bruksel gjatë zhvillimit të samitit, Metsola tha se Ballkani Perëndimor duhet të gjejë vendin e tij në shtëpinë evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos