
Miratimi i rezolutës në kuvendin shqiptar, të gjenocidit serb në Kosovë, heqja e kufirit mes dy vendeve, problemet e adresave në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, përballimi i situatës së Covid-19 dhe proceset integruese ishin temat kryesore që janë diskutuar mes presidentit Meta dhe presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, kreu i shtetit tha se marrëdhëniet shtetërore kanë nevojë për mundësi praktike dhe kufiri mes dy vendeve të bëhet i padukshëm, jo vetëm për njerëzit, por edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes njerëzve.
“Vlerësuam të gjitha mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve tona, veçanërisht mes konkretizimit të partneritetit strategjik që të jemi shembull sa i takon standardeve të demokracisë dhe përparimit të integrimit europian. Marrëdhëniet ndërshtetërore kanë nevojë për mundësi praktike që kufiri shtetëror të bëhet i padukshëm, jo vetëm për njerëzit, por edhe në shkëmbimin e eksperiencave”.
Meta siguroi presidenten Osmani për mbështetjen në pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“E sigurova se ne do të mbështesim me energjitë tona pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, se jemi të bindur në legjitimitetin kombëtar
“Vlerësova qëndrimin e matur dhe nga Kuvendi në këto çaste të rëndësishme për të vijuar funksionimin e institucioneve demokratike dhe përballimin e sfidave me të cilat ndeshet shteti i Kosovës, si përballja e Covid, për ta kapërcyer me kosto të lehtë këtë betejë madhore në interes të qytetarëve tanë. Shpresojmë të bashkëpunohet më shumë edhe për sigurimin e vaksinës në mënyra më të dobishme, të shpejta e të sigurta”.
Nga ana e saj, presidentja e Kosovës kërkoi që të jetë krah Kosovës dhe Kuvendi shqiptar të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë, me qëllim që të mos përmbyset e vërteta.
“Rruga e Kosovës ka qenë plot sfida dhe Shqipërinë e kishim në krah. Në Kosovë është Serbia që ka kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit dhe këtë të vërtetë e ka parë gjithë bota, por që të mos lejojmë që të përmbyset e vërteta, kemi nevojë për Shqipërinë që të jetë zëri ynë atje ku nuk kemi zë. Diskutuam që Kuvendi të miratojë rezolutën që do të dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi ynë e ka miratuar këtë deklaratë dhe është e natyrshme që vendi i dytë ta bëjë këtë të jetë Shqipëria”.
Nga ana e tij, kreu i shtetit theksoi se ka ardhur koha që të kërkohet drejtësi për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë, pasi vrasësit janë ende të lirë dhe këtu përmendi rastin e vëllezërve Bytyçi.
“Rezoluta që dënon gjenocidin serb është një moment për të kërkuar drejtësi për viktimat e gjenocidit dhe dhunës, se ende e dimë që vrasësit e vëllezërve Bytyçi janë të lirë dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe dimë mijëra raste të dhunimeve dhe përdhunimeve në Kosovë”.
Biseda mes kreut shqiptar të shtetit dhe presidentes në detyrë të Kosovës është ndalur edhe në problemet e adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku sipas Osmanit atje po kryhet spastrim etnik i heshtur, ndërsa Meta, premtoi për ta ndjekur këtë çështje së bashku.
“Diskutuam edhe për krimin që po bëhet me adresat në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Është një spastrim etnik i heshtur me adresat”, tha Osmani.
“Pasivizimi i adresave është absurditet i madh që të mos respektojë disa të drejta elementare dhe shpresojmë të ketë reflektim në këtë drejtim dhe ta ndjekim këtë çështje së bashku”, tha Meta.
Një tjetër temë e takimit ishin dhe proceset integruese të të dy vendeve, ku Osmani edhe këtu kërkoi ndihmën e Shqipërisë. “Kosova nuk ka vend në një numër të madh të organizatave ndërkombëtare dhe kërkojmë të intensifikohet ndihma nga Shqipëria”.
Osmani theksoi se shfrytëzimi i potencialit të Mërgatës ishte një tjetër çështje që diskutoi për të bashkëpunuar me kreun e shtetit shqiptar. (A2 Televizion)