






























Autoritetet shqiptare kanë nisur punën në Pallatin e Kongreseve, ku do të zhvillohet Samiti historik BE-Ballkani Perëndimor, që për herë të parë mbahet në Shqipëri.
Punonjës të Bashkisë Tiranë po punojnë për rregullimin e ambienteve të jashtme të godinës, duke vendosur vazo me lule dhe duke pastruar shkallët. Punonjës të tjerë kanë hapur kanalet për kalimin e kabllove që do të duhen për sigurimin e infrastrukturës teknologjike për samitin njëditor.
Temat kryesore që do të diskutohen do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe adresimi i sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Aktiviteti do të nisë në orën 10:15, me mbërritjen e delegacioneve dhe pritjen zyrtare. Në orën 11:45 është planifikuar fotoja zyrtare. Në 12:15 programi vijon me seancën plenare dhe drekën e punës dhe në orën 14:30 me konferencën për shtyp.
Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” dhe përreth stadiumit Arena Kombëtare do të aplikohen 16 nivele të sigurisë së Policisë shqiptare në bashkëpunim me protokollin e sigurisë së Brukselit. Godina e Këshillit të Ministrave është parashikuar si plan B për mbajtjen e Samitit, sipas protokollit të kërkuar nga unioni për çdo të papritur.
Rama: Protokolli i sigurisë nuk thyhet
Opozita ka paralajmëruar se do të zhvillojë një protestë para Kryeministrisë po atë ditë, në orën 12:00, por sipas Kryeministrit Edi Rama nuk ekziston mundësia që të thyhet protokolli. “Për sa i përket masave të sigurisë, ato nuk negociohen me askënd. Këtu hyn në fushë siguria e samitit dhe garantimi i të gjitha masave të kërkuara të sigurisë për të gjithë liderët dhe delegacioneve të mbarë Europës. Këtë Samit e organizon Këshilli Europian, nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është mbështetëse dhe është mikpritëse e këtij Samiti”, tha Rama të enjten në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë. “Historitë e 1912 që vazhdojnë dhe tirren, këto janë çështje që për fat të keq, ne nuk i shmangim dot, por nga ana tjetër nuk mund ta marrin dot peng as Shqipërinë dhe aq më pak një samit të këtyre përmasave. Çfarë lidhje ka kjo këtu me Mujin dhe me Halilin? Unë nuk shoh lidhje”.
Policia takohet me organizatorët e protestës
Gjithashtu të enjten, Policia e Shtetit bëri një tjetër përpjekje për të bindur demokratët të mos protestojnë para Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por ta zhvendosin grumbullimin e tyre përtej perimetrit të sigurisë së samitit të BE-së në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, thirri përfaqësues të PD-së për t’u shpjeguar edhe njëherë arsyen pse autoritet i refuzuan opozitës protestën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Argumenti i tyre ishte se kjo protestë cenon sigurinë, por ne u thamë që do të mbajmë protestë paqësore. Protesta mbahet atje ku kemi thënë në Bulevard”, tha Ervin Minarolli. “Ne kemi protestë kundër qeverisë, për t’i dërguar të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për korrupsionin dhe gjithë zullumin që po bën kjo qeveri”, tha Çlirim Gjata.
Burime nga Policia thanë se nuk do të lënë asnjeri të futet në perimetrin e sigurisë, për protestë, por vetëm pak minuta pas këtij takimi, kryetari i PD-së, Sali Berisha, përforcoi dhe më shumë vendosmërinë e protestës në Bulevard. Kësaj here, u kujdes të fliste jo vetëm për protestues, por dhe për organizatorë, kur u pyet për tonin dhe fatin e protestës. “Madhështore, madhështore! Jo, liderët europianë nuk do të keqkuptohen, ata nuk janë si Edi Rama. Tani gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve. Ata do të vendosin, por ne bulevardin nuk e lëshojmë”, theksoi Berisha.
PD-ja u ka bërë thirrje demokratëve të hapin dyert e shtëpive të tyre më 5 dhjetor për të mirëpritur ata protestues të cilët vijnë nga rrethet dhe për shkak të bllokimit të rrugëve nuk do të mund të udhëtonin drejt Tiranës, më 6 dhjetor. (A2 Televizion)