
Forcat e Policisë në Itali publikuan një video të re ku shfaqet shembja e urës Morandi në Xhenova. Sipas Guardia di Finanza, këto pamje të pashfaqura ndonjëherë, janë regjistruar nga kamerat e sigurisë të një kompanie që e ka selinë shumë pranë mbikalimit.
Videoja është marrë si provë nga prokuroria për të zbuluar shkaqet e shembjes së strukturës së urës. Ekspertët, të bazuar dhe në minutazhin e videos, shprehen se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda 14 sekondave.
Pak ditë më parë ura “Morandi” u hodh në erë për t’u rindërtuar edhe një herë nga e para. Për të rrëzuar dy këmbët e urës u desh mbi një ton dinamit.
Në tragjedinë e 14 gushtit të vitit të kaluar humbën jetën 42 persona, mes tyre edhe dy shqiptarë. (A2 Televizion)