
Italia shënoi ditën e përkujtimit dhe të zisë kombëtare në nder të mbi 100 mijë personave që humbën jetën gjatë 13 muajve të pandemisë koronavirus.
Kryeministri Mario Draghi vizitoi epiqendrën e përhapjes së Covid-19, qytetin e Bergamos, ku vendosi kurora me lule në varreza. Më pas mori pjesë në një ceremonI tjetër ku mbolli një pemë në parkun lokal të Bergamos në shenjë homazhi për viktimat e shkaktuara nga pandemia.
“Kjo është një ditë e mbushur me trishtim por edhe me shpresë dhe dëshiroj që çdokush të më ndjejë afër në kët ëperiudhë.”, u shpreh kryeministri Mario Draghi.
Spanjollët ndërkohë po ankohen për standardet e dyfishta që po përdoren nga vetë qeveria e tyre. Turistët gjermanë po “pushtojnë” zonat bregdetare duke përfituar nga moti I ngrohtë për të marrë rreze. Dhjetra mijëra të tjerë po planifikojnë që të ndjekin të njëjtën praktikë për festën e Pashkëve, edhe pse qeveria e Berlinit këshillon që të mos udhëtohet, përveç në rastet e domosdoshme.
“Në Spanjë ne nuk mund të lëvizim mes rajoneve por çdo I huaj mund të vijë dhe të përhapë virusin.”, u shpreh Emilio Rivas, banor i Madridit.
Në Francë pritet një ashpërsim i kufizimeve pasi numri i rasteve të reja me Covid-19 vijon të jetë në rritje. Skenare të ndryshme janë në qarkullim, por duket se një izolim i tretë po bëhet i pashmangshëm, të paktën për Parisin.
“Njerëzit po presin një izolim të ri, ne e ndjejmë këtë nga gjendja e tyre. Qytetarët janë të lodhur por nuk ngrenë pyetje, thjesht presin. Është e pashmangshme, por nuk mendoj se ka një lloj revolte, është më shumë ‘të presim dhe ta kalojmë atë”, u shpreh Luc Fourn, gazetashitës.
Franca po raporton ditët më të vështira në pandeminë koronavirus. Në ditën e fundit u regjistruan 38 mijë raste të reja, me një total prej 4.1 milionë të infektuarish. (A2 Televizion)