
Papa Françesku paralajmëroi liderin e kishës ortodokse ruse të mos bëhet “djaloshi i altarit i Putinit”.
Në fjalët e tij më të ashpra deri më tani kundër patriarkut pro-luftës, Françesku gjithashtu kritikoi Kirillin për mbështetjen e arsyeve të deklaruara të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
“Kam folur me të për 40 minuta përmes Zoom”, tha Papa për të përditshmen italiane Corriere della Sera në një intervistë të botuar të martën.
“Në 20 minutat e para më lexoi, me një kartë në dorë, të gjitha arsyetimet për luftën”, u shpreh Ati i Shenjtë duke zbuluar dhe përgjigjen e tij.
“E dëgjova dhe i thashë: Nuk kuptoj asgjë nga këto. Ne nuk jemi klerikë të shtetit, nuk mund të përdorim gjuhën e politikës, por atë të Jezusit”, bëri të ditur Papa.
Më herët, kreu i Vatikanit zbuloi se ka marrë sinjale që Rusia synon të përfundojë luftën në Ukrainë për pak ditë. “Orban, kur e takova, më tha se rusët kanë një plan, se gjithçka do të përfundojë më 9 maj”, tha Papa Françesku. Gjithashtu u shpreh i gatshëm te takonte Putinin në Moskës për ta bindur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. (A2 Televizion)