Papunësia, ish-zëvendësministri i Financave: Vuajtja ka nisur për të gjithë sektorët e ekonomisë

Nga A2 CNN
1 Maj 2020, 21:32 | Ekonomi
Papunësia, ish-zëvendësministri i Financave: Vuajtja ka nisur

Elton Haxhi, ish-zëvendësministër i Financave dhe Producentja Ekzekutive për Biznesin në A2, Aurora Sulçe, diskutuan mbi papunësinë e krijuar si pasojë e pandemisë, si dhe për ndihmat e dhëna deri tani nga qeveria.

Haxhi u shpreh se tashmë kanë nisur shenjat e alarmit, se vuajtja ka filluar për të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Pandemia ka sjellë një krizë që nuk është parë ndonjëherë, të paktën që pas vitit 1997 në Shqipëri. Parashikohet që recesioni të jetë në 5% dhe kjo do të reflektohet. Shifrat tregojnë se reflektimi ka nisur me 57 mijë të papunë. Ky tregues është një shenjë alarmi, se vuajtja ka filluar për të gjithë sektorët e ekonomisë, veçanërisht për faktin se Shqipëria karakterizohet edhe nga puna në të zezë dhe shifra e papunësisë mund të jetë shumë më e madhe. Një tregues tjetër negativ është edhe përqindja e madhe e të vetëpunësuarve, që është në nivelin 34%. Kjo e bën më vulnerabël këtë shtresë të popullsisë ndaj pandemisë”, u shpreh Haxhi.

Producentja Ekzekutive për Biznesin në A2, Aurora Sulçe, ngriti shqetësimin e një kategorie personash, të cilët janë shpallur të papunë pas datës 10 prill dhe që nuk përfitojnë pagesë nga qeveria.

“Dinamika ndryshon çdo ditë. Në këtë moment, nuk mund të raportohet se sa është shifra e të papunëve, duke përfshirë edhe prillin. Mendohet se deri në datën 20 prill ka qenë diku te 61 mijë persona. Fatkeqësisht, të papunët e koronavirusit janë trajtuar vetëm me paketën e dytë financiare. Një paketë 40 mijë lekë, e cila do të bëhet me një këst dhe do të jetë e vlefshme deri në fund të majit. Ka një paradoks shumë të madh. Ka shumë biznese, të cilët i kanë shpallur të papunë punonjësit e tyre pas datës 10 prill. Kush është shpallur i papunë nga data 11 prill dhe në vijim, ku bëhet fjalë veçanërisht për fasonët, këta persona nuk përfitojnë pagesë, as pagë lufte dhe as pagesën prej 40 mijë lekësh”.

Sa i përket të punësuarve në të zezë, Haxhi pati një propozim, i cili sipas tij, do të mënjanonte edhe konfliktet e mundshme mes punëmarrësve dhe punëdhënësve.

“Nëse i referohemi vendeve ku informaliteti është në nivele të larta, kryesisht në vende të Azisë Juglindore, kam gjetur skema ku edhe të punësuarit informal kanë marrë një pagesë edhe pse nuk janë të punësuar formalisht. Strategjia që ka gjetur qeveria për të formalizuar një pjesë të atyre që do të deklarojnë punëdhënësin e tyre, duhet të shoqërohet edhe me një masë tjetër, e cila mund të futet si një masë në paketën e amnistisë fiskale. Kjo mund të mënjanonte edhe konfliktet e mundshme”, tha Haxhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos