Gazetari Basir Çollaku zbuloi se Fatmir Metaj, i cili po drejton aksionin e IKMT-së në Theth, e që është bërë i njohur për shkak të përplasjes fizike me banorët dhe sharjeve e fyerjeve në drejtim të tyre, pas rastit të hedhjes së molotovit drejt fadromave, ka qenë i përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit.
Në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, Çollaku tha se Metaj është një person problematik, i dënuar më parë edhe me burg. Sipas gazetarit drejtimi i aksionit për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje prej Metajt është një trysni e panevojshme që kryeministri Edi Rama po i ushtron banorëve të Thethit.
“Ai njeriu i…, drejtori i IKMT-së, ç’është ky Metaj. Çon një individ, që është dënuar, ka qenë pjesë e ekipit të vrasjes së Azem Hajdarit. Fatmir Metaj, i dënuar me një vit dhe 3 vjet mospasje profesione publike. Dhe ti shkon.... E ke parë gjuhën e tij, si flet ai. Çfarë bën? Sërish çon njeri me probleme, me telashe në atë zonë, telashe kriminale të rënda, sepse ajo vrasja e deputetit ishte vrasja e shekullit. Ai ishte pjesë e atij ekipi. E patë fjalorin e tij dhe të policisë. Ku shkon? Të vrasin me armë, të vrasin me fjalë. Ç’është kjo trysni, me kë je duke luftuar? Pse nuk lufton me trafikantët e kokainës. Ky tani është ai që shkon për kasollet e drurit atje. Paligjshmëria duhet ndëshmuar kushdo që e bën. Lgji ka një formë që duhet ta bztojmë të gjithë. Çoja shkresë, çoja letrën. Lëri afat të ankimojë, të shkojë në gjykatë ai. Dhe duhet të jetë gjykata që zgjidh mosmarrëveshjet mes institucionit dhe individit, jo kryeministri me urdhër, jo policia me kallash. Zotëri ke shkelur ligjin, duhet të përgjigjesh kushdo qofsh, i majtë, i djathtë, i kuq, i zi... Por ti duhet të denoncohes, të shkosh në gjykatë dhe gjykata t’i japë të drejtë palës, siç janë provat në fund të fundit... Kush e ka shkelur ligjin", tha Çollaku në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)