Forcat e Talebanëve që kanë marrë kontrollin e Afganistanit parakaluan në rrugët e Kabulit të dielën, duke përdorur mjete luftarake të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe helikopterë rusë, për të treguar forcën e tyre ushtarake.
Parada u zhvillua me rastin e “diplomimit” të kadetëve të rinj të ushtrisë, tha për Reuters, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Enayatullah Khwarazmi.
Në parakalim morën pjesë dhjetëra makina të blinduara M117, të prodhuara në SHBA të cilat shëtitën në rrugët kryesore të Kabulit, ndërsa mbi to fluturonin helikopterët model MI-17. Shumë ushtarë mbanin gjithashtu pushkë amerikane M4.
Pjesa më e madhe e armëve dhe mjeteve luftarake që Talebanët përdorin sot janë pjesë e ndihmave të Uashingtonit për qeverinë e mëparshme të Afganistanit dhe ushtrinë e saj. Përpjekjet 20-vjeçare për shtetformim në Afganistan u shpërbënë brenda pak ditësh pas largimit të amerikanëve nga vendi dhe Talebanët morën pushtetin pa shkrepur thuajse asnjëherë armët.
Trupat amerikanë shkatërruan dhjetëra makina dhe avionë e helikopterë nga bazat e tyre teksa largoheshin, por përsëri shumë mjete ranë nën kontrollin e Talebanëve. Grupi i konsideruar si terrorist nga Shtetet e Bashkuara vepronte prej 2 dekadash në vend dhe kundërshtonte pushtimin amerikan të vitit 2001. Sot pretendojnë të shndërrohen në një ushtri të rregullt, për të mbështetur qeverinë e tyre në Afganistan. (A2 Televizion)