Prej 6 vitesh, Partizani nuk fiton në ndeshjen e parë në kampionat. Të kuqtë do të kërkojnë të thyejnë mallkimin pikërisht këtë të shtunë përballë Egnatias në Elbasan Arena. Një ndeshje që duket aq e thjeshtë për “demat”, aq më tepër që ekipi nga Rrogozhina është përforcuar me emra të njohur në Superligë, si Renato Malota, Alen Sherri, Jurgen Goxha apo Emiliano Musta.
Në prag të sfidës, tekniku i kuq Giovanni Colella u shpreh se e ka studiuar mirë Egnatian dhe pret një rezultat pozitiv. ‘’Egnatian e njohim mjaft mirë. Kemi dërguar njerëzit tanë për ta parë. Dhe si Egnatia do t’i përgatisim të gjitha ndeshjet në vijim. Kemi njohuri për sa i përket kundërshtarit. Mendoj që në këtë sezon kampionati shqiptar do të jetë më i ekuilibruar se në sezonet e kaluara. Ndoshta në letër Tirana mund të jetë diçka më shumë, por mendoj që kampionati do të jetë shumë i ekuilibruar, dhe ne jemi në garë njësojë si të tjerët dhe do ta provojmë deri në fund’.

Një Vllazni pretendente, por me këmbë në tokë. Shkodranët e nisin sezonin nga transferta me Erzenin, me trajnerin Mirel Josa që nuk dëshiron të flitet për rivalë të dobët apo të fortë.
“Nuk do të thotë që është starti e do ta fitojmë me patjetër ndeshjen. Ne duhet të shkojmë me mendimin për ta fituar ndeshjen. Dhe nuk ka rëndësi niveli i skuadrës që luajmë. Duke i vlerësuar kundërshtarët në maksimum, atëherë vlerësojmë punën tonë”, deklaroi Josa.
Mësimet e sezonit të kaluar, kur kuqeblutë e nisën kampionatin duke trumbetuar titullin, por e panë shumë shpejt veten jashtë gare, kanë shërbyer për të ndryshuar mentalitetin. Te Vllaznia tani duan të flasin në fushë.

“Në Shqipëri të paktën gjashtë skuadra deklarojnë se do të dalin kampion. Ju shembullin më të mirë e keni dy vite përpara me Vllazninë, që nuk është futur për të marrë titullin kampion, por erdhi puna që ishte 13 pikë para në kampionat dhe erdhi puna që e humbi kampionatin. Objektivi i skuadrës është të fitojë çdo ndeshje”, shtoi trajneri kuqeblu.
Sipas Kapitenit Erdenis Gurishta, “vitin e kaluar hymë me objektiva shumë madhore dhe ky ishte gabimi jonë, sepse presioni na bëri që në përfundim të fazës së dytë të ishim jashtë gare. Këtë vit do të futemi me ide të tjera. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të shpresojmë që çdo gjë të na eci mbarë”.
Ndeshja e Vllaznisë në Shijak, me Erzenin e rikthyer në elitë pas afro dy dekadave, nis prej orës 17:00. (A2 Televizion)