Pasaporta e gjelbër u rikthen lirinë izraelitëve

Nga A2 CNN
9 Mars 2021, 14:47 | Bota
Pasaporta e gjelbër u rikthen lirinë izraelitëve

Një orë para rihapjes së restoranteve, shefi i famshëm Assaf Granit, pret me padurim rilindjen e kuzhinës së tij.

“Është si një rilindje. Sikur po hapemi nga e para. Le të shohim si do të shkojë. Jemi plotësisht të rezervuar, kështu mendoj se do të jetë një ditë e gjatë dhe e lumtur”, thotë Assaf Granit, shef kuzhine.

Bizneset dhe shtetasit në Izrael mund të marrin frymë lirshëm sërish, falë të ashtuquajturave pasaporta të gjelbra, certifikatat e vaksinimit që nënkuptojnë se më në fund, ekonomia mund të nisë rimëkëmbjen graduale. Të parët në radhë, 30 minuta para prenotimit është një çift, krenarë për pasaportën e vaksinimit.

40 për qind e popullsisë izraelite ka marrë të dyja dozat e vaksinës, e tani mund të shijojnë liri të reja, për të shkuar në koncerte, hotele e universitete edhe pse kufizime në numrin e pjesëmarrësve do të mbeten ne fuqi.

Rreth 5 milionë izraelitë, më shumë se gjysma e popullsisë e kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, një shifër rekord kjo krahasuar më fushatën e ngadaltë të imunizimit në pjesën më të madhe të botës.

Megjithatë, shifrat tkurren mes ultra-ortodoksëve dhe komunitetit arab. Vaksinimi i shpejtë është një arritje që partia e kryeministrit Netanyahu do të trumbetojë fort gjatë javëve të mbetura para zgjedhje të përgjithshme në vend.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos