
Papa Françesku ka pretenduar se gjatë jetës së tij e ka parë djallin tri herë, si dhe ka parë edhe “portat e ferrit”. Këto detaje janë zbuluar në disa fragmente të reja nga ditari i tij personal, shkruan A2 CNN.
Në librin “Ditari Privat i Papa Françeskut”, i publikuar të martën, një shënim i vitit 2021 përshkruan tri raste kur Papa i ndjerë pretendonte se kishte parë djallin: një herë nga një makinë, një herë në korin e kishës gjatë meshës dhe herën e tretë gjatë një takimi me zyrtarë të Vatikanit.
“Nuk mund ta harroj zërin e tij të fuqishëm dhe të ngjirur”, ka shkruar Françesku, duke kujtuar një prej këtyre përjetimeve.
Në ditarin e mbajtur nga viti 1992 deri në vitin 2024, Papa shpreh gjithashtu keqardhje për vizitën e tij në Kili në vitin 2018, kur u kritikua për mbrojtjen e një peshkopi të akuzuar se kishte fshehur abuzimet seksuale të kryera nga një prift.
Françesku, i cili drejtoi Kishën Katolike për 12 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 2025, më vonë kërkoi falje dhe thirri peshkopët e vendit në Romë, ku të gjithë ofruan dorëheqjen.
“I shkatërruar nga situata në Kili”, shkruante Françesku në një shënim të vitit 2021. “Ishte e vështirë për mua të pranoja atë që kishte ndodhur në Kili. Nuk mendoja se situata ishte kaq serioze”.

Duke folur për këto përjetime, të cilat ai i interpretonte si takime me djallin, Françesku thoshte se nuk mund t'i harronte sytë e tij “kërcënues”.
“Ai më shikoi me sy të zjarrtë... më intensivë se herën e mëparshme. Ishin si shkëndija zjarri”, shkruante ai për përjetimin e dytë, që sipas tij kishte ndodhur kur ishte kryepeshkop i Buenos Airesit.
Ai tregonte se prania e djallit e kishte shoqëruar edhe gjatë udhëtimeve, përfshirë vizitën në Kili në kohën kur Kisha Katolike po përballej me skandalin e abuzimeve seksuale nga klerikët, si dhe një takim të zhvilluar disa ditë pas kthimit të tij në Romë.
“E pashë dhe dëgjova zërin e tij, triumfues, sikur zotëronte gjithçka”, shkruante ai, duke shtuar se “Zoti më dha mundësinë të çlirohesha nga këto takime”.
Papa i ndjerë zbulonte gjithashtu se në qershor të vitit 2018, teksa po përgatitej të flinte, kishte parë “portat e ferrit”. “I vështrova për pak çaste dhe u tmerrova”, shkruante ai. “Është e rrezikshme t'u afrohesh portave të ferrit, sepse prej tyre mund të dalin flakë dhe të të djegin”, shkruante Françesku.
Ditari është redaktuar nga kardinali Viktor Fernandez, drejtues i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Besimit dhe mik i afërt i Papa Françeskut. Bëhet fjalë për ditarin e parë të një pape që publikohet për publikun që nga vitet 1960.
Papa Françesku u zgjodh në krye të Kishës Katolike në vitin 2013 dhe ndërroi jetë në prill të vitit 2025, në moshën 88-vjeçare. (A2 Televizion)