
Këto momente i munguan këtë vit çdo besimtari ortodoks. Në kisha nuk mund të shkonte askush me rastin e Pashkës, por çdo gjë do të fokusohet në familje.
“Pashkët e sivjetshme janë krejtësisht ndryshe”, thotë Hirësi Joani.
Janë ndryshe në formë, por jo në përmbajtje. “Këtë vit, do ta përjetojmë ndryshe, në një situatë të izolimit, apo edhe përballjes me friken e vdekjes, apo edhe të ofrimit të dashurisë si për jetën tonë, ashtu edhe për tjetrin”, thotë Hirësi Asti, episkop i Bylisit.
“Në këtë situatë të vështirë që po kalojmë për shkak të pandemisë Covid-19, mendja dhe zemra jonë është me të gjithë ata të cilët përballojnë këtë situatë”, shprehet Hirësi Nikolla, mitropolit i Apolonisë dhe Fierit.
Këtë vit, festa redukton madhështinë e jashtme të kremtimit, por pa ndryshuar kuptimin. “Sivjet Pashka është përqendruar në familje, në atë kishëzën e vogël siç e njohim në kishë, djepi i kultivimit të dashurisë”, thotë Hirësi Andoni, mitropolit i Elbasanit.
Ajo që i bashkon në një, është mesazhi i festës dhe dashuria që ndajnë. Çdo vit besimtarët synojnë të dërgojnë në shtëpitë e tyre dritën e ngjalljes. “Në momentin që Kryepeshkopi thotë “Krishti u Ngjall” dhe “Ejani merrni Dritë”, ta ndezim qiriun tonë nga drita e kandilit të këndit të lutjes tonë dhe t’ia ofrojmë të gjithë familjarëve”, tregon Hirësi Asti.
E njëjta gjë edhe për drekën familjare “Ndjekim meshën dhe e shoqërojmë me lutje dhe shpresën e ngjalljes. Me dritën e ndezur dhe vezën e kuqe që simbolizojnë ngjalljen e Krishtit”, shpjegon Hirësi Andoni.
Krishti u ngjall së vdekurësh, me vdekjen, vdekjen shkeli. Ky është mesazhi i triumfit në besimin e krishterë, që, edhe pse në kohë të vështira, përcillet i qartë. “Krishti u Ngjall! Vërtet u Ngjall!” (A2 Televizion)