Më pak se 8 vite nga themelimi, dhe përmes shumë vështirësive, sporti i regbisë po përpiqet të lulëzojë në vendin tonë. Me vetëm dy skuadra ku e mirëfilltë është vetëm ajo e klubit Tirona, regbia shqiptare do të testojë nivelin këtë të mërkurë, përballë ‘Great Britain Pioneers’, klubit anglez dhe njëkohësisht shkollës së këtij sporti që udhëton në vende si Shqipëria ku kjo lojë është në hapat e saj të parë. “Këto janë një kombëtare kolegjesh të universiteteve angleze, dhe niveli i tyre është shumë i lartë. Por ne na shërben për të kuptuar nivelin tonë dhe për t’u promovuar”, thotë një nga pjesëtarët e ekipit, Kein Turdiu, që shton se “aktualisht kemi arritur të krijojmë një kombëtare, dhe synojmë ngritjen e një federate. “Të gjithë jemi sportistë si aktivitet i dytë. Unë personalisht jam inxhinier, një tjetër mjek, ka studentë, ka edhe kamerierë” shton Ditmar Halla, një tjetër lojtar i Regbisë Tirona. Mbështetja për këtë sport në Shqipëri është minimale ndërsa ende nuk ekziston një Federatë. E gjithë veprimtaria zhvillohet në bazë të pasionit të sportistëve dhe dëshirës për të patur një risi që vendi nuk e njohur asnjëherë më parë. Klubi i Regbisë Tirona dhe Great Britain Rugby League Pioneers përplasen në fushë këtë të mërkurë në orën 18 në stadiumin e Kamzës. (A2 Televizion)
Pasioni për regbi, Tirona klubi që e mban "gjallë" sportin e veçantë
