“Pazari” i fundvitit, tregtarët: Ka më pak blerës

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2018, 13:53 | Ekonomi
“Pazari” i fundvitit, tregtarët: Ka më pak blerës

Në prag të Vitit të Ri, njerëzit nxitojnë të bëjnë blerjet e tyre të fundit për të shtruar tryezën e darkës festive. Gjeli i detit, mishi, arrat dhe kadaifi janë disa ndër produktet që blihen më shumë gjatë kësaj periudhe, për të cilat blerësit shprehen se nuk kanë ndjerë rritje çmimesh krahasuar me një vit më parë.

“Mora një gjel deti, ishte me çmim të arsyeshëm, deri tani mirë”, thotë një zonjë. “Nuk kam ndjerë ndonjë diferencë deri tani, për mua kanë qenë normale, si çdo fundvit”, thotë një tjetër.

Por pavarësisht çmimeve të favorshme dhe mallit të bollshëm, tregtarët tregojnë se numri i blerësve është më i zbehtë këtë.

“Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet ka më pak prurje klientele”, shprehet një tregtar te “Pazari i Ri”. “Nga gjithë viti njerëzit nuk mund të rezervojnë atë buxhet që duhet për të festuar festat”, shton një tjetër.

Shqiptarët preferojnë gjithmonë e më tepër të bëjnë shpenzimet e tyre në supermarkete, ndërsa tregjet shihen si një mundësi për të bërë pazare të vogla, kryesisht për fruta dhe perime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos