
Ekonomia e Shqipërisë është ngadalësuar gjatë pjesës së dytë të vitit. Këtë e ka bërë të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës.
Sipas tij, faktorët që kanë sjellë këtë ngadalësim janë prodhimi i energjisë dhe investimet e ulëta publike.
Ritmi i rritjes së prodhimit të energjisë elektrike ka ardhur në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, duke sugjeruar për një ngadalësim të lehtë të rritjes ekonomike në gjysmën e dytë të vitit.
Në këndvështrimin e kërkesës agregate, rritja ekonomike duket se ka vijuar të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve shqiptare.
Nga ana tjetër, kahu konsolidues i politikës fiskale, gjatë tremujorit të tretë dhe pjesës më të madhe të tremujorit të katërt, ka qenë më i fortë se ai i parashikuar, duke sjellë një kontribut më të ulët se parashikimi të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike.
I pyetur nga A2 News, Sejko nuk përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes në tregun valutor, në rast se Banka konstaton rreziqe për objektivin e inflacionit.
Në rast se do të shohim çrregullime në përputhje me rregulloren e Bankës së Shqipërisë dhe do të shohim që kursi i këmbimi do të ndikojë në nivelin e inflacionit do të vazhdojmë në programin e ndërhyrjeve, përndryshe jo sepse ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit në Shqipëri”, deklaroi për A2 guvernatori i Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Mbikëqyrës pas plotësimit të vendeve vakante, u vendos për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin e 1%.
Sipas Këshillit, kjo ndihmon në nxitjen e kërkesës, rrit punësimin, pagat dhe presionet e brendshme inflacioniste, ndërsa rritja e kësaj norme nuk pritet të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)