PD bën bilancin e zgjedhjeve: Qeveria skemë masive për vjedhje votash, formula uli forcën e koalicionit opozitar, ja qarqet ku duhet punuar më shumë

Nga A2 CNN
15 Korrik 2021, 18:41 | Politikë
PD bën bilancin e zgjedhjeve: Qeveria skemë masive për vjedhje

Partia Demokratike bën bilancin e zgjedhjeve. Pranë kryesisë së partisë më të madhe opozitare u paraqitën sot një seri përfundimesh që përmbledhin sipas kuadrove të partisë pikat që sollën sipas tyre masakrën elektorale të 25 prillit, ku kryeministri Rama siguroi mandatin e tretë radhazi.

Sipas analizës “gjatë zgjedhjeve Qeveria u angazhua në një operacion masiv dhe skemë sistematike në shkallë të gjerë të blerjes së votave, në bashkëpunim me kartelet e drogës dhe bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar, të cilat në shumë raste u morën në mbrojtje nga Policia e Shtetit”, ndërkohë që PS sipas tyre “vendosi disa përfaqësues të krimit të organizuar në listat e saj për deputetë”.

Një tjetër kapitull i denoncimit ka të bëj me keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore. Ku ndër të tjerat u evidentua “përdorimi i të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, si formë e ushtrimit të presionit ndaj qytetarëve”, “pagesa e 125 milionë eurove të fondeve publike gjatë fushatës elektorale për mijëra familje të prekura nga tërmeti 2019”, “dhënia e koncesioneve të mëdha publike”, rritja e pagave në vitin elektoral për sektorin publik, por edhe mbyllja “e papritur dhe e paprecedent e kufijve me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të mos lejuar diasporën e madhe shqiptare”.

Mazhoranca socialiste akuzohet edhe se ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme dhe shkeli Marrëveshjen e 5 Qershorit, të arritur në kuadrin e Këshillit Politik, “duke çuar në një avantazh të padrejtë prej 11 mandatesh në favor të Partisë Socialiste, pavarësisht një diference elektorale minimale”.

Në analizë flitet edhe për “shpërdorim të autoritetit të Policisë së Shtetit në favor të partisë në pushtet, duke mos krijuar kushte të barabarta të garës, si dhe parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore”.

Por analiza shkon edhe në rezultatet e marra gjithsesi nga Partia Demokratike, ku sipas tyre rezulton se Dibra, Elbasani dhe Kukësi kanë arritur projeksionin maksimal në mandate, ndërkohë që në Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë nuk ka arritur projeksioni minimal në mandate dhe për pasojë cilësohet si i parealizuar projeksioni”, duke nënvizuar se “ndryshimi i formulës së koalicionit, nga listat e përbëra në lista të përbashkëta, uli forcën e koalicionit opozitar”.

Analiza tregon se puna “duhet të përqendrohet në qarqet ku ka mundësi reale për mandate të tjera shtesë në qarqet Berat, Durrës, Fier, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Për pasojë, e gjithë strategjia në vijimësi për të goditur me forcë krimet zgjedhore dhe fenomenet e paligjshme që kanë ndikuar në rezultat, duhet të përqendrohet kryesisht në këto 7 qarqe”.

Në analizë vlerësohet gjithsesi se në zgjedhje është arritur “numri më i lartë i votave i marrë ndonjëherë në nivel kombëtar nga PD”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos