
Partia Demokratike i cilëson të gënjeshtërta akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Rrogozhina për kreun demokrat Lulzim Basha në lidhje me dosjen belge. Në një reagim me video në Facebook nga akuzat e kahershme mes Berishës dhe Metës, selia blu e akuzon ish-liderin e demokratëve se bën aleancë me Qifen, Dakon e Doshi, ndërsa sulmon PD-në.
“Ditë e re, mashtrim i ri. Gënjeshtrat ordinere të non gratës, vazhdojnë. Por demokratët e kanë kuptuar se ti ke hallin tënd dhe të familjes tënde. Demokratët e dinë, se ti si burracak, kërkon të fshihesh dhe ti përdorësh ata përballë non gratës tënde me partinë e re që bëre me Ilir Metën. Demokratët e shohin se si po i poshtëron çdo ditë, duke bërë aleanca me kundërshtarët më të mëdhenj të tyre. Pse nuk e përmend Qifen, po ke vënë njerëzit e tij në krye, në Rrogozhinë e Vorë? Pse nuk thua asnjë fjalë për lidhjet e Dakos me krimin, por i ke çuar njerëz të negociojnë me të? Pse nuk thua një fjalë për Tom Doshin, apo ngaqë njerëzit e tij drejtojnë “shtëpinë e Ilirit” në Shkodër?”
PD-ja kujton Berishës që teksa deklaroi votën kundër zgjatjes së vetingut, iku “si frikacak”. Sipas saj nëse voton Berishën dhe Metën, mban Ramën në pushtet, ndërsa “partia e re e non gratave nuk do ta mbajnë peng Shqipërinë”
“Njësoj siç bëre në Parlament ku mbushe dynjanë se do votoje kundër, dhe pastaj ike si frikacak, ashtu sillesh dhe sot duke amnistuar kriminelët që kanë punuar kundër demokratëve. Partia e re e non gratave të shpallura e të pa shpallura, nuk do ta mbajnë peng Shqipërinë. Nëse voton Berishën dhe Metën, mban Ramën”. (A2 Televizion)