
Sali Berisha ishte sot në Rrogozhine ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Shtëpia e lirisë”, Hekuran Xhanin.
Ish-kryeministri vijoi me sulmet e ashpra ndaj qeverisë dhe kreut zyrtar të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës. Ai i cilësoi zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit si “me rëndësi kombëtare dhe të jashtëzakonshme, fushata e mbjelljes së shpresës për Rrogozhinën dhe gjithë Shqipërinë, është më e rëndësishme se mbjellja e çdo bime tjetër”, duke u lidhur me realitetin lokal të bashkisë që mbahet edhe me bujqësinë.
“Keni tokat më pjellore të Shqipërisë dhe plazhet më të bukura të Adriatikut, por Rrogozhina vijon të braktiset , njëlloj si e gjithë Shqipëria, nga një pushtet arrogant që nuk do t’ia dijë për hallet e qytetarëve, dhe i detyron të largohen. Sot femëri shqiptar paguan plehrat kimike 4 herë më shumë se 8 vjet më parë, karburantin sa fermeri i Zvicrës që ka rrogën 10 herë më të lartë. Ndërkohë, Edi Rama firmos Ballkanin e Hapur, për fermerët e Rrogozhinës do të thotë falimentim, nuk mund të mateni me një shtet si Serbia që merr subvencione për çdo produkt”.
Më pas, Berisha iu drejtua kandidatit zyrtar të PD-së, Ferdinand Saraçit dhe vetë kreut të PD-së, Basha. “Ferdinand, ke qenë kryetar i demokratëve të Rrogozhinës, por me aktin që bëre dëshmove që kurrë nuk i ke merituar votat. Po të kishe ambicie duhet të pranoje primaret, votën e lirë”.
Berisha iu rikthye aferës Toyota. “Lulzim Basha shkatërron veten e tij çdo ditë. Kur je peng, t’ i japin recetat çdo mëngjes, si do sillesh. A ka tallje më të madhe se të flasë për të ardhmen ai, kur vetëm humbet. Ai thotë se po ndihmoj Ramën, paçka me bisht në shalë voton Ramën, atë veting që kishte cilësuar si aktin më mafioz kombëtar. Kur deklaroi se do të vinin lekë me Toyota, i thashë si e dije ti. U hap hetimi, Edi Rama ia mbylli dosjen, por ka një dosje që ai nuk e mbyll dot, është ajo belge. Ai mund të bëj fotografi me cilin të dojë, me lekë e pa lekë, po lidhja e tij me organizatat kriminale do të dalë”, tha Berisha në takimin elektoral. (A2 Televizion)