
Partia Demokratike ka reaguar me tone të ashpra ndaj akuzave të themeluesit të saj Sali Berisha, që për zgjedhjet e 6 marsit garon me simbolin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.
Berisha nga mitingu i tij i sotëm në Durrës i kujtoi Lulzim Bashës ato që cilësoi si “hesapet e pa lara me drejtësinë belge”, duke akuzuar kreun e PD-së se bashkëpunon me organizata kriminale.
Por sipas PD-së, ky është thjesht një mashtrim. “Çfarë thotë sot, s’e thotë nesër. Çfarë gënjen sot, e harron nesër. Non grata vjen vërdallë nëpër Shqipëri duke përdorur kandidatët e Shtëpisë së Ilirit për hallin e tij”, duke ironizuar me rolin e ish-kryeministrit që sipas tyre “nuk mund të pranojë njeri tjetër, prandaj kudo është vetëm ai, vetë kandidat, vetë kryetar, vetë udhëheqës, sa edhe pseudokandidatët i prezanton me foton e tij”.
Mesazhi vijoi duke nënvizuar se “Sa më shumë i shtohen hallet, aq më shumë i shton mashtrimet. Siç bëri dhe dje që tha se do votonte kundër, por kur erdhi koha e votës iku si burracak ordiner. Sot çdo shqiptar e ka të qartë se kush mbështet Berishën e Metën, mban Ramën”. (A2 Televizion)