PE: Guaido president legjitim i Venezuelës

Nga A2 CNN
31 Janar 2019, 22:40 | Bota
PE: Guaido president legjitim i Venezuelës

Parlamenti Europian njohu Huan Guaidon si presidentin legjitim të Venezuelës. Eurodeputetët votuan një rezolutë, jo detyruese, që i kërkon qeverive europiane dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogherini, që të mbajnë këtë qëndrim. Teksti, i mbështetur nga popullorët, liberalët dhe socialistët por edhe nga disa parti të ekstremit të djathtë, u aprovua me 439 vota pro, 104 kundër dhe 88 abstenim.

“Është një kënaqësi të njoftoj që Parlamenti Europian njeh zotin Guaido si presidentin legjitim të përkohshëm të Venezuelës”, tha Antonio Tajani, president i Parlamentit Europian.

Ndër të tjera, rezoluta e aprovuar, njeh liderin e opozitës në drejtim të vendit deri në zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të lira, transparente dhe të besueshme.

Gjithashtu, eurodeputetët dënojnë represionin dhe dhunën e autoriteteve, që shkaktoi viktima dhe kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut.

Ndërkaq, Guaido thotë se ka mbajtur takime sekrete me ushtrinë e Venezuelës për të marrë mbështetjen e tyre në rrëzimin nga pushteti të presidentit Nikolas Maduro.

Për këtë, ai zotëron mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve amerikanolatine. Nga ana tjetër, Maduro mbështetet nga Rusia dhe Kina. Kriza në Venezuelë u përshkallëzua pas zgjedhjeve presidenciale që u bojkotuan nga opozita. Ndërsa problemet e thella ekonomike kanë bërë që populli të kundërshtojë qeverisjen e Maduros. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos