Burgu i Spaçit është i njohur për të kaluarën e tij famëkeqe dhe trajtimin ç’njerëzor që u është bërë të dënuarve politikë që mbaheshin atje.
Por lënia në harresë dhe rrënimi i këtyre institucioneve, po i kthen vuajtjet dhe torturat që janë bërë atje në legjenda, që kujtohen herë pas here, duke shkuar drejt harresës, pa reflektuar për atë që ka ndodhur. Sot, vendi ynë aspiron Europën, të njëjtën aspiratë për të cilën qindra e mijëra vetë u persekutuan deri në vdekje.
Kjo nuk është rrëfenjë, pasi fatmirësisht janë ende gjallë njerëz që e kanë përjetuar dhe tregojnë. A2 CNN sjell një pjesë të kujtimeve të Zenel Drangut, që kaloi 14 vite në burgun e Spaçit.
Në godinat e rrënuara të këtij burgu, ai kujton jetën brenda rrethimeve të shumëfishta me tela dhe natyrisht vuajtjet dhe torturat, fizike dhe emocionale, ku nuk kishe mundësi as t’u jepje dorën familjarëve që i kishe përtej hekurave të ftohtë.
“Kam takuar vetëm majat e gishtave me nënën mes hekurave”, thotë ai. Të burgosurit, të lënë në shi dhe dëborë, në diell e në të nxehtë, arrinin deri aty sa që hidheshin qëllimisht mbi telat me gjemba për të vdekur.

“Torturë në shi e dëborë. Na kanë lënë edhe një orë në tarracë në dëborë. Shumë njerëz janë hedhur për të vdekur”.
Ato që rezistonin ishin të detyruar të flinin në kushte më të vështira se sa bagëtitë. Në këtë mënyrë, Zeneli ka kaluar 14 vite të vështira brenda këtij kampi çnjerëzor.
E gjithë kjo vuajtje, vetëm për faktin që Europën dhe lirinë për të shpresuar një jetë më të mirë, guxoi ta kërkonte para kohe.
Tani, me dhimbje, ai ndonëse është i lirë fizikisht dhe i lirë të shprehet, me keqardhje konstaton se në këto 30 vite vendi nuk ka demokraci.
Nëse vende të tilla si ky burg famëkeq do të lihen të fashiten nga koha, edhe shoqëria do të harrojë se çfarë sakrificash ka bërë ky popull për të arritur atë që shumë politikanë sot, disa prej të cilëve pjesë e atij sistemi, e kanë pjesë të agjendave të tyre dhe premtimeve për të rifituar votat. (A2 Televizion)