Përkujtohet fundi i “Luftës së Madhe” në Britani, për herë të parë merr pjesë një lider gjerman

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2018, 16:43 | Aktualitet

Për herë të parë në historinë e dy vendeve, një lider gjerman mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të përfundimit të Luftës së Parë Botërore që zhvillohet çdo vit në Londër. Që prej përurimit të Monumentit të Ushtarit të Panjohur në vitin 1920, Presidenti Frank-Walter Steinmeier u bë kështu gjermani i parë që vendosi kurorë me lule, një ngjarje e konsideruar në mediat e dy vendeve si akti përfundimtar i pajtimit.

Ironikisht Britania e Madhe është në proces shkëputjeje nga Bashkimi Europian, i udhëhequr pikërisht prej Gjermanisë, edhe pse marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, sidomos në fushën e sigurisë.

Familja Mbretërore u udhëhoq në ceremoni nga Princi i Ullesit, pasi Mbretëresha Elizabeta II ia delegoi përsëri djalit të saj Charles detyrat, duke ndjekur ceremoninë nga një ballkon aty pranë. Mungoi në ceremoni Princi Philip, për herë të pestë në histori, por arsyeja nuk u bë publike.

Qeveria gjermane, nga ana tjetër deklaroi se prania e Presidentit ishte një simbol i miqësisë që ekziston mes dy shteteve sot, pavarësisht ngjarjeve tragjike të një shekulli më parë, në atë që u quajt asokohe Lufta e Madhe.

Në orën 11 të paradites u mbajt edhe dyminutëshi tradicional i heshtjes, që u sinjalizua nga akrepat e Big Ben-it, edhe pse në proces rinovimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos