“Përplasja” Berisha-Basha, Patozi: Çështja shkon në gjykatë dhe gjykata mban anën e atij që ka letrat

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2021, 21:15 | Politikë
“Përplasja” Berisha-Basha, Patozi: Çështja shkon

Astrit Patozi, ish-koordinator i Bindjes Demokratike, mendon se “përplasja” mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës do të përfundojë në gjykatë.

“Çështja do të përfundojë në gjykatë dhe kjo do të jetë një lloj grotesku për Partinë Demokratike, por tek e fundit, kjo është gropa që hapën vetë me duart e tyre. Berisha dhe Basha po korrin atë që kanë mbjellë në 8 vitet e fundit. Pas Kongresit të PD-së do të kemi një kalvar pretendimesh, që në një vend demokratik përfundojnë gjithmonë në gjykatë. Do të jetë shumë qesharake pastaj që të përplasen në gjykatë. Në të gjitha rastet, ne e dimë që gjykata shkon në anën e atij që ka letrat. Kështu që, parandjej që vendimi i gjykatës, nëse shkohet deri aty nga Foltorja, do të jetë pro Bashës”, u shpreh Patozi.

Sipas tij, “Basha dhe Berisha janë shumë të sinqertë kur flasin për njëri-tjetrin dhe absolutisht të pasinqertë kur flasin për veten”.

“Ky është problemi që ka sot PD-ja sepse në rast se njëra palë do të kishte nga ana e saj të drejtën apo moralin, PD-ja do të kishte zgjidhje”, theksoi Patozi.

Astrit Patozi nuk i beson kandidaturave të reja për kryetar të PD-së, duke u shprehur se “në PD sot janë ose me Bashën, ose me Berishën”.

“Të gjithë të tjerët bëjnë sikur, nuk ka lëvizje tjetër brenda asaj partie. Ata që pranojnë të qëndrojnë në atë parti, të rreshtohen me Bashën ose Berishën, mos të bëjnë kot dhe mos të gënjejnë njerëzit. Nuk mund të thonë që ndoshta e shërojmë ne PD-në. Sot nuk mund të kërkohet një hero brenda PD-së sepse nuk ka. PD-ja ka vetëm një zgjidhje: të hapë garën. Por, duhet që gara të jetë reale”, shpjegoi Patozi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos