
Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim, pavarësisht se kjo nuk e zgjidh krizën zgjedhore. Kështu u shpreh në studion e Ditari në A2 CNN analisti Afrim Krasniqi, në pritje të vendimit të këtij institucioni për zgjedhjet lokale të 2019-ës. Sipas tij kjo është një situatë politike dhe jo një ngërç kushtetues
“E rëndësishme është që Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim dhe situata në Shqipëri ndodhet në extrakushtetuese, situatë antikushtetuese. Ligji parashikon që 45 ditë duhet të bëhen zgjedhje të reja. Së dyti përderisa palët i janë adresuar Komisionit të Venecias nuk duhet të marrë parasysh opinioni. Ajo është trupa më e specializuar juridike. Nuk shoh debat legjitimitetin e komisionit të Venecias. Është një lloj debati brenda Gjykatës Kushtetuese. Nëse shprehet me legjitimitetin e zgjedhjeve apo hyn në brendësi teknike. Pres që ky vendim të jetë formal dhe mos ketë ndikim në jetën politike, për sa kohë që zgjedhjet janë bërë. Është një situatë politike, sesa një ngërç kushtetues. Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk e zgjidh krizën zgjedhore por e shtyn pra dhe e kthen në krizë politike. Pala fituese nuk ka konkurruar, tjetra nuk ka marrë pjesë në zgjedhje”.
Për Krasniqin çfarëdo lloj vendimi i Kushtetueses do të vlejë edhe për të ardhmen, por kriza të tilla politike nuk zgjidhen me vendimet kushtetuese. Ai shprehet skeptik nëse palët do ta pranojnë vendimin, pasi, thotë ai do të kërkojnë alibi dhe do të fshihen pas detajeve teknike duke mos pranuar atë që ishte fakt.
“Gjykata Kushtetuese vendos një presion të madh të kohës dhe nevojës për të marrë një vendim. Është e rëndësishme të marrë një vendim pro, kundër, apo neutral sesa të mos marrë vendim për shkak të mungesës së kuorumit prej 5 votash. Do të ishte një vendimmarrje që do të na vlejë në të ardhmen. Nëse nuk arrin të ketë vendim të qartë humbim shansin për ta trajtuar këtë çështje dhe secila palë do të krijojë alibi. Ne kemi situatë paradoksale, ku presidenti nuk e ka ushtruar kompetencën e tij dhe në rizgjedhjen e 6 kryetarëve të rinj të bashkisë duke përdorur si alibi Gjykatën Kushtetuese. Mazhoranca ndjehet e kënaqur që pjesa më e madhe e kryetarëve të bashkive janë pa konkurruar dhe kemi një opozitë që ka bërë një faj kushtetues dhe politik ka filluar ta pranojë gabimi për të cilin morën kosto parlamentare. Të gjitha palët duhet të kishin reaguar ndryshe. Kriza të tilla politike nuk zgjidhen me vendime kushtetuese dhe sido që të jetë vendimi palët do të kërkojnë alibi dhe do të fshihen pas detajeve teknike dhe pas normave e dispozitave të Gjykatës duke mos pranuar atë që ishte fakt”.
Qytetarëve u janë cenuar të drejtat e tyre dhe jo politikanëve, thotë Krasniqi. Sipas tij në rast të mos marrjes së një vendimi nga Kushtetuesja, palëve duhet t’ u sqarohet koncepti kushtetues që zgjedhjet bëhen për qytetarët dhe jo për partitë. Ai shton se Gjykata kushtetuese duhet të ndërmarrë akte me integritet që rikthejnë besimin te publiku.
“Politikanët po ndjehen sikur u janë cenuar të drejtat kushtetuese, ndërkohë që për qytetarët nuk po interesohet askush dhe asnjë palë nuk po i respekton dhe qytetarëve u janë shkelur të drejtat. Nëse vendos të marrë një vendim, që është e vështirë për të siguruar kuorumin do të mirëprisja një vendim. Gjykata kushtetuese e re ka nevojë për akte me integritet dhe me besim te publiku. Nëse Gjykata kushtetuese arrin të marrë një vendim që është e vështirë për shkak të kuorumit do mirëprisja një vendim që u sqaron palëve konceptin kushtetues që zgjedhjet bëhen për qytetarët dhe jo për partitë. Do të mirëprisja që aktorët politikë i zgjidhin me mjete politike”.
Disa sugjerime Krasniqi i ka edhe për mazhorancën, opozitën, por edhe për institucionet zgjedhore
“Një mazhorancë e përgjegjshme do të ofronte minimumin e mundshëm dhe opozita të rishikonte vendimin e saj dhe të zhdukte konceptin e bojkotit dhe ky duhet të ishte vendimi i parë në kongresin e partisë, për sa kohë penalizojnë qytetarët në përfaqësim. KQZ dhe Kolegji zgjedhor duhet të marrë një leksion nga Gjykata Kushtetuese, KQZ është për të administruar zgjedhje jo fake zgjedhje”.
Duke folur për vetingun, ai akuzon politikën se po përdor kushtetutën si mall tregu sa herë që ka krizë apo ngërç.
“Situata absurde me KLGJ e KLP, ato nuk janë në gjendje të bëjnë vetingun dhe kemi pranuar dështimin e tyre në integritetin e vendimmarrjes. Lehtësia me të cilën po ndryshojmë kushtetutën e Shqipërisë është qesharake e denigruese dhe sjellje joinstitucionale. Kushtetuta nuk ndryshohet sa herë kemi ngërç e krizë, por duhet trajtuar si dokumenti më i rëndësishëm i shtetit shqiptar. Të ketë akte e deklarata publike. Asnjëhera palë nuk bën këtë gjë. Për të afruar zgjidhje kërkohet seriozitet e konsultime dhe heqje dorë nga agjenda lokale në Shqipëri. Nëse e trajtojmë shtetin, kushtetutën, drejtësinë dhe politikën në këtë mënyrë po u japim pushtet politikanëve ta trajtojnë shtetin dhe kontratën tonë me shtetin si plaçkë private që mund të shesin, blejnë e trafikojnë sa herë që duhet”. (A2 Televizion)