
Deputetja e PD, Albana Vokshi dhe njëkohësisht dhe kryetarja e Lidhjes Demokrate të Gruas ishte e prerë në pozicionin e saj në “Debat” në A2 CNN se zgjedhjet në forumin partner të PD do të vendosen nga vetë ai.
Albana Vokshi e konsideroi antistatutor vendimin e Bashës për të shpallur zgjedhjet në LDG, duke shtuar se nuk do të lejojë një vendim ilegjitim.
“Vendimi i Bashës është antistatutor. Nuk e them se më prek mua. Prej vitesh kam kërkuar që të bëhen zgjedhjet në LDG, por nuk e ka pranuar Lulzim Basha këtë. Prej shumë vitesh kam kërkuar të bëhen zgjedhje, madje kur u bënë zgjedhje në FRPD i kam kërkuar sërish dhe Basha më tha jo sepse nuk bëhen zgjedhjet në dy forume paralelisht. Atëherë nuk bëheshin paralelisht, por tani u bëkan dhe kushtet e urgjencës. Grupi i punës që ka ngritur Basha për zgjedhjet në FRPD e ka përjashtuar kryetarin aktual. Pse përjashtohet? Që të kontrollojë dhe forumin rinor? Në cilin forum u mor vendimi që do bëhen zgjedhjet në këtë moment kaq delikat për PD. Nuk diskutuam kurrë, u njoftova me anë të një telefonate. Z.Basha nuk merr dot vendime për organizatat partnere. Ato kanë statut më vete. Historia e PD nuk fillon më 2013.
LDG është e gatshme. Janë 10 mijë anëtare të reja. Jemi të gatshëm të ndërmarrim zgjedhje dhe javën që vjen. Nëse zonjat duan procesin me një anëtar, një votë e caktojnë ato. Nuk di si do operojmë. Ky grup pune i njoftuar nga Basha është ilegjitim, antistatutor. Unë do vijoj punën për zgjedhje në bazë të statutit. Unë do bëj procesin tim. Atë që kam nisur do ta përfundoj. Unë nuk do toleroj që një telefonatë, një kryetar të hedh poshtë mundin e asaj që kanë arritur gratë demokrate në vite”, tha Vokshi. (A2 Televizion)