Cristiano Ronaldo që e nisi ndeshjen ndaj Zvicrës nga stoli “eklipsoi” një tjetër çështje jo pak të rëndësishme, brenda ekipit të Portugalisë.
Bëhet fjalë për Joao Cancelon, një tjetër “peshë e rëndë” e ekipit. Mbrojtësi i Manchester City, një nga më të mirët në botë, e nisi nga stoli dhe vendin e tij në të djathtë të mbrojtjes e mori Diogo Dalot, i Manchester United, i cili për më tepër zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer dje, por edhe ndaj Koresë së Jugut.
Fakti që nuk e nisi ndeshjen titullar nuk i pëlqeu aspak Cancelos, i cili në golin e parë të Gonçalo Ramos as nuk lëvizi nga stoli.

Pas ndeshjes, trajneri portugez Fernando Santos u shpreh: “Me Cristianon nuk ka asnjë problem. Në stol u la edhe Cancelo”.
Joao Cancelo, i cili ka 40 ndeshje me përfaqësuesen portugeze, mund të luajë në të dyja krahët e mbrojtjes dhe konsiderohet si një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në botë. (A2 Televizion)