
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, u pyet për penalltitë në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Marokut, që u zgjidh pikërisht nga seria e 11-metërshave.
Përgjigjja e tij, kur e dëgjon pas ndeshjes, nuk nxjerr mirë askënd.
Trajneri spanjoll u përgjigj: “Kam një vit që u kam thënë lojtarëve se derisa të vijë Botërori, secili nga ata duhet të kenë goditur minimumi 1000 penallti me ekipet e tyre. Nuk ke kohë në grumbullimin e kombëtares për të stërvitur penalltitë. Besoj se shumica i ka bërë detyrat sepse do të ketë një përballje që do të zgjidhet me 11-metërsha”.
Në fakt, ndeshja e parë e Spanjës me eliminim direkt shkoi me penallti, por Spanja nuk shënoi asnjë nga 3 goditjet, duke i dhënë lamtumirën Katarit. Pas ndeshjes, deklarata e mësipërme e Luis Enrique u kthye në vëmendjen e tifozëve spanjollë, të cilët e konsideruan qesharake.
“Jemi bërë meme”, shkruan një përdorues i Twitter. (A2 Televizion)