Plagjiatura në arsim, aktivistët denoncojnë botimet e ministres Evis Kushi

Nga A2 CNN
28 Shtator 2020, 15:34 | Aktualitet
Plagjiatura në arsim, aktivistët denoncojnë botimet e ministres

Sapo u emërua në postin më të lartë të karrierës personale, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, u akuzua nga shoqëria civile për plagjiaturë. Janë aktivistët e Qëndresës Qytetare që pretendojnë se Kushi ka vjedhur botimet me të cilat ka përfituar gradat shkencore.

“Dy artikujt shkencorë të ministres së Arsimit janë vënë përpara pikëpyetjes për përmbajtje plagjiaturë. Njëra prej tyre është denoncuar se përmbante deri në 90 për qind të plagjiaturës, edhe shifrat i përkisnin një kontinenti tjetër. Ne e sfidojmë ministren që të përdorë softuerin që ka marrë në dispozicion, që e ka blerë Ministria e Arsimit për të kryer kontrollin anti-plagjiaturë”, shprehet Migen Qiraxhi, nga Qendresa Qytetare.

Vetë ministrja ka refuzuar t’u përgjigjet publikisht këtyre akuzave, ndërsa për shkelje të tilla hetimi pamundësohet nga vetë ligji, pasi prokuroria nuk pranon denoncime nga palë të treta, në këtë rast nga aktivistët e shoqërisë civile.

“Vetëm i prekuri mund të ngrejë në organet e drejtësisë një akuzë për vjedhje të pronës së tij intelektuale, që në rastin e Shqipërisë, ne shohim që shumë zyrtarë dhe titullarë, akademikë, kanë kryer plagjiaturat nga profesorë që janë në kontinente të tjera”.

Vjedhja e artikujve shkencorë për përfitim të titujve të doktoraturave nga ana e politikanëve ka qenë një debat i hapur. Ndërkohë, një verifikim i Institutit të Studimeve Politike konfirmon se kemi 10 politikanë me gradën profesorë doktorë, mes të cilëve edhe ministrja e re e Arsimit. 6 politikanë janë profesor të asociuar dhe 18 të tjerë mbajnë gradën e doktorëve të shkencës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos