Plani i UEFA-s, Champions League mund të mbyllet për tre javë

Nga A2 CNN
13 Prill 2020, 17:35 | Futboll
Plani i UEFA-s, Champions League mund të mbyllet për tre javë

Me emergjencën e koronavirusit që vazhdon dhe pasiguritë se kur mund të kthehet normaliteti, UEFA do të bëjë të pamundurën që të mbyllë turnetë e këtij sezoni. Përpos ligave kombëtare, zgjidhje të shpejtë kërkojnë kupat e Evropës.

Kjo ka bërë që në zyrat në Nion të propozojnë idenë e përfundimit të Champions dhe Europa League në harkun e vetëm tre javëve, gjatë muajit gusht. Champions League u ndërpre në çerekfinale, ndërsa numri i skuadrave që do të luajnë në këtë fazë duhet të plotësohet edhe nga ndeshjet e prapambetura, siç është supersfida ndërmjet Manchester City dhe Real Madrid.

Kjo ngjeshje e kalendarit në arenën ndërkombëtare pritet të ndikojë te skuadrat, të cilat prej periudhës maj-qershor, kur mendohet se do të rinisin kampionatet, do të përballen edhe me një tur force të vërtetë edhe në aktivitetet kombëtare. Të gjithë kampionatet elitare në kontinent, ashtu si edhe ligat më të vogla, presin të rikthehen në fushë për të shpallur verdiktet e sezonit, nga titulli kampion, te kualifikimi në kupat e Evropës si edhe rënien dhe ngjitjen nga kategoria.

Që kjo të realizohet, kalendari do të ngjishet me skuadrat që pritet të zbresin në fushë në çdo tre ditë, ndërsa ndeshjet do të jenë me dyer të mbyllura. Shtyrjet e ndeshjeve prej pandemisë Covid-19 pritet të ndikojnë edhe në edicionin e ardhshëm, me UEFA-n që po shqyrton edhe ngjeshjen e kalendarit për sezonin e ardhshëm në Champions League. Konfederata evropiane e futbollit është detyruar që të shtyjë me një vit zhvillimin e Euro 2020, ndërsa një tjetër problem madhor i shkaktuar nga pandemia është edhe kriza financiare për klubet e të gjitha niveleve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos