“Policia jashtë funksionimit”, PD: Drejtorët e bashkive të Ramës po shkaktojnë probleme në qendrat zgjedhore

Nga A2 CNN
14 Maj 2023, 12:50 | Politikë
“Policia jashtë funksionimit”, PD: Drejtorët e bashkive

Përfaqësuesi për çështjet ligjore dhe zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, denoncoi “një seri problematikash në qendrat zgjedhore, shkaktuar nga drejtorë bashkish, funksionarë të administratës dhe implikime të policisë, me veprime apo mosveprime”.

“Sipas Pikës 7 të Urdhrit të KQ të Zgjedhjeve, kushdo qe konstaton shkelje ka të drejtë të njoftojë, krahas strukturave zgjedhore edhe Policinë e Shtetit. Njoftimi duhet bërë me shkrim ose te numri i Emergjencës 112. Policia eshte e detyruar të verifikojë informacionin dhe në rast të konstatimit të një shkeljeje duhet të veprojë. Dhe këtu qytetarët që kanë dashur të raportojnë shkelje, kanë hasur në vështirësinë e parë. Numri 112 i Policisë është jashtë funksionimit. Nuk e dimë nëse ky është defekt teknik, paaftësi apo është bërë në mënyrë të qëllimshme, por i bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës dhe të respektojë ligjin”, tha Kaso në një deklaratë për mediat.

“Urdhri i KQZ-së gjithashtu përcakton qartë se persona të paautorizuar duhet të mbajnë një distancë nga objektet zgjedhore prej të paktën 150 m. Mosrespektim të kësaj distance, madje prani flagrante në qendrat e votimit të patronazhistëve, të drejtorëve të administartës dhe të personave të tjerë të paautorizuar janë raportuar sot gjatë gjithë paradites në bashki në të gjithë territorin”, shtoi Kaso.

Sipas tij, disa prej problematikave “të hasura në procesin e votimit deri më tani janë:
- në mbi 500 qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja e identifikimit elektronik, pavarësisht se operatorët janë paraqitur në kohë.
- në pjesën më të madhe, sipas raportimeve tona, ka grumbullime masive njerëzish të paautorizuar në oborret dhe mjediset hyrëse të QV, patronazhistë dhe drejtues të administratës.
- policia e njoftuar për çlirimin e qendrave të votimit nga patronazhistët më së shumti nuk përgjigjet, por edhe kur përgjigjet refuzon të zbatojë Urdhrin, duke e nxjerrë tërësisht veten jashtë funksionit kryesor sot: mbarëvajtja e zgjedhjeve.
- Ka raportime të shumta që boja me të cilat shënohen gishtat fshihet lehtësisht duke ngritur dyshime për votim më shumë se një herë.
Raste arbitare të ndërhyrjes në procesin e votimit janë regjistruar sidomos në Durrës. Drejtori bashkiak Roni Shqopa, Davide Ndoj, kryetare e njësisë adminstrative Spitallë, Flamur Gjuzi, drejtor i Sigurimeve Shëndetësore, dhe Artur Feto i OSHEE janë parë në qendrat e votimit në qytet dhe rrethina. I bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës, të njoftojë KZAZ per shkeljet dhe në përfundim të hartojë proçesverbalin për shkeljen përkatëse. Të gjitha këto ndërhyrje hileqare në proces nga administrata dhe drejtorët e bashkive të Ramës nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të tensionuar situatën dhe për t'u munduar t’i bëjnë parapritë humbjes së sigurt”.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos