
Europa do të përballet me një fluks prej miliona emigrantësh nëse nuk ashpërsohen politikat kufitare. Paralajmërimi vjen nga kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, vendi i të cilit po përballet me një krizë të paprecedentë me refugjatët.
Në një intervistë për median gjermane, “Bild”, ai nuk e përjashton rrezikun e luftës, teksa komentoi zhvillimet e fundit në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.
Morawiecki tha se situata është e qëndrueshme dhe paralajmëroi se miliona emigrantë nga Afrika dhe Lindja e Mesme po synojnë që të hyjnë në Europë. Pavarësisht se kryeministri pohon ekzistencën e rrezikut të luftës, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, thotë se nuk do të ndodhë një konflikt ushtarak me Bjellorusinë.
Megjithatë, ata nuk i kursyen akuzat ndaj Rusisë dhe presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, se po nxisin valën e emigrantëve për të destabilizuar Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, situata në terren është tepër e vështirë.
Emigrantët e grumbulluar në kufirin mes dyja vendeve nuk po dorëzohen dhe mes temperaturave të ulëta dhe ndërhyrjes së ushtrisë dhe policisë polake po tentojnë të kapërcejnë pengesat drejt një jete më të mirë. Megjithatë, bllokada është shumë e fortë.
Autoritetet polake ndaluan rreth 100 emigrantë gjatë një përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin. Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se 501 raste të ngjashme u raportuan vetëm gjatë të mërkurës. (A2 Televizion)