
Ilir Meta mohoi edhe një herë të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, duke theksuar se personi me inicialet I.M., të cilit i referohet Autoriteti i Dosjeve, në fakt është dikush tjetër.
Kryetari i Partisë së Lirisë foli për skenar të përgatitur nga ai që e cilësoi “Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve”: “Autoriteti i Dosjeve e di shumë mirë që Ilir Rexhep Metaj nuk ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Ato e dinë shumë mirë se kush ka qenë bashkëpunëtori në rastin konkret, sepse ndodhet në dy dosje. Ata që e kanë orkestruar këtë skenar, e dinë shumë mirë që Ilir Meta nuk ka ikur ndonjëherë në konvikt”.
I bindur se bëhet fjalë për manipulim të qëllimshëm, Meta paralajmëroi përgjegjësi ligjore për të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje: “Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë shkelje ligjore që ka bërë. Do të mbajnë përgjegjësi individuale personat e përfshirë. Autoriteti i Dosjeve e kishte shumë të lehtë nëse kishte ndonjë shqetësim, kur u zgjodha President firmos një kërkesë dhe deklaratë. Nëse do të dilte ndonjë e dhënë, mund ta padiste penalisht Ilir Metën”.
Duke e cilësuar këtë si një sulm të motivuar politikisht, kryetari i Partisë së Lirisë tregoi gatishmërinë e tij për një verifikim të figurës që nga periudha e fëmijërisë: “Jam 1 milion përqind i pastër. Është sulm për shak të Partisë së Lirisë, jam 10 hapa para të tjerëve”.
Një mesazh të drejtpërdrejtë pati për Edi Ramën: “Nuk ka patericë që e mban në pushtet”.
Sipas Metës, rivalët e tij politik kërkojnë të largojnë vëmendjen nga çështje të tjera që prekin njerëzit e mazhorancës. (A2 Televizion)