
Është pagëzuar avioni i dytë që mbart flamurin e Shqipërisë në qiejt ndërkombëtarë. Edhe pse vetëm në ditën e tij të parë nën ngjyrat kuqezi, “Migjeni” nisi menjëherë me 3 fluturime drejt Italisë, një itinerar që do të ndjekë çdo ditë.
Administratori i “Air Albania” tha: “Migjeni ka nisur fluturimet me Romën, Milanon dhe Bolonjën. Është sfiduese, por edhe shumë me fat që t’i nisim këto destinacione në një ditë. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë shqiptarët, pasi i përmbush të gjitha kriteret dhe ne ofrojmë bagazhet falas. Me 69 euro në Romë dhe Milano dhe 59 euro në Bolonjë do t’i lejojë të gjithë në vend të fluturojnë me cilësi, standarde të larta dhe çmime konkurruese. Besojmë se ky është avantazhi dhe kontributi i “Air Albania” në treg”.
Ilirjana Idrizaj është një nga stjuardesat e “Air Albania” që do t'i zërë vendin kolegeve turke në bordin e “Migjenit”. Ajo tregon se si ndihesh të jesh pjesë e një linje ajrore shqiptare: “Është gjë e re dhe emocionuese. Një ndjesi shumë e mirë për ne si staf”.
Brenda këtij viti, flotës pritet t'i bashkohet edhe “Naimi”, me fluturime të tjera në kryeqytetet e Europës.
Tashmë, mbi 1 vit nga krijimi i “Air Albania”, kompania ku shteti shqiptar ka 10% të aksioneve, ka arritur të realizojë pak nga premtimet e shumta të bëra. Teksa është e debatueshme nëse 69 euro për një biletë vetëm vajtje mund të quhet low-cost, mbajtësi i flamurit duhet të bëjë shumë më tepër për të sjellë çmime të përballueshme për udhëtarët shqiptarë, për të shtuar destinacione të reja, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe mbi të gjitha për të evituar një shuarje pa zë.
Ashtu siç e tha edhe kryeministri: “Për hajër, Migjen”.
(A2 Televizion)