
Milani do të ndryshojë pronësi për herë të tretë në pesë vitet e fundit. Klubi kuqezi është fare pranë ndryshimit të pronësisë, me Investcorp që mund të finalizojë blerjen prej datës 29 prill.
E premtja pritet të jetë dita vendimtare për hedhjen e firmave në kontratën e shit-blerjes. Ndërkohë, më 30 prill përfundon afati i negociatave ndërmjet Elliott dhe Investcorp. Por, sipas burimeve pranë negociatave, edhe nëse firma do të shtyhet, operacioni i shitjes së klubit do të finalizohet gjatë javës pasardhëse.
Për blerjen e pjesës më të madhe të aksioneve të Milanit, fondi arab i investimeve do të paguajë 1 miliard e 180 milionë euro. Presidenti Mohammed Al Ardhi vendosi ta rrisë ofertën, për të bindur familjen Singer që t’i shesë aksionet deri në fillim të muajit mars. Nëse marrëveshja finalizohet, kjo do të jetë blerje rekord për futbollin italian.
Investitorët nga Bahreini janë gati t’i garantojnë klubit fonde të nevojshme për rritjen e objektivave, si edhe të financojnë operacione të rëndësishme në merkato, duke garantuar blerjen e lojtarëve të rëndësishëm.
Një projekt që kërkon kohë dhe para, por kompania arabe është gati të investojë për ngritjen e Milanit në nivelet e historisë së fanellës kuqezi. (A2 Televizion)