“ProEnergy”, aty ku u hodh një tjetër “gur themeli” drejt energjisë nga burimet e rinovueshme nga grupi i bankave “ProCredit”. Shtrirë në një hapësirë prej 4 hektarësh, me një investim prej 2,5 milionë eurosh dhe me kapacitet 3 megavat, “ProEnergy” bëhet i pari park fotovoltaik në Kosovë, në pronësi të grupit bankar gjerman.
“Ky park fotovoltaik është dëshmi e potencialit të energjisë nga burimet e rinovueshme në Kosovë. Jo vetëm që do të reduktojë varësinë nga qymyri, por do të krijojë vende pune, do të shtyjë zhvillimin ekonomik dhe do të na udhëheqë ne drejt një zhvillimi të qëndrueshëm”, tha Eriola Bibolli, Anëtare e Bordit Drejtues në “ProCredit Holding”.
Me vetëdijen e plotë se ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim serioz për të gjithë ne, “ProCredit Bank” është kthyer në pararojë të mbrojtjes së planetit. Selia mëmë në Gjermani, bashkë me degët e shtrira kryesisht në Europën Juglindore dhe atë Lindore kanë financuar mbi 1,2 miliardë euro në projekte të mbështetura te burimet e rinovueshme.

“Si një grup bankar i orientuar te ndikimi pozitiv ne mjedis, ne në “ProCredit” jemi vendosur në një pozicion unik për të dhënë kontributin tonë në tranzicionin energjetik. Investimi ynë në parkun fotovoltaik “ProEnergy” tregon qartazi seriozitetin e qasjes sonë”, u shpreh Hubert Spechtenhauser, Kryetar i Bordit Drejtues të “ProCredit Holding”.
Për të dhënë shembullin e vet si nismëtare në drejtim të mbështetjes financiare të sintetizuar në konceptin e financës së gjelbër, në të njëjtën ditë me inaugurimin e parkut u mbajt edhe konferencën rajonale të titulluar, “Rruga drejt dekarbonizimit, eficenca dhe energjia e rinovueshme”.
Midis panelistëve ishte dhe përfaqësuesi i Vega Solar, një nga kompanitë partnere te “ProCredit Bank Shqipëri” për realizimin e projekteve fotovoltaike në vendin tonë.
“ProCredit Bank Shqipëri” njihet si banka pionere në financimin e projekteve fotovoltaike, ku prej më se tre vitesh është kthyer në aktor aktiv në treg duke sjellë eksperiencë dhe ekspertizë në financimin e këtyre projekteve. (A2 Televizion)