
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përjavshme për shtyp me fokus ekonominë, e cilësoi si të dobët dhe pa shtyllë kurrizore programin ekonomik të Partisë Demokratike, të prezantuar pak ditë më parë.
“Në tërësinë e vet, programi i PD-së është si karakteri i liderit të PD-së, i dobët dhe pa shtyllë kurrizore. Taksa e sheshtë është taksë për të pasurit, taksa e sheshtë është taksë për t’u dhënë edhe më shumë atyre që fitojnë më shumë dhe për t’u marrë shpirtin atyre që fitojnë më pak. Kjo është pak, por e sigurt. Sot, jemi në kushtet kur taksa jonë, që unë e quaj taksim i ndershëm dhe që konsiderohet si koncept taksë progresive, është qartësisht një taksë që ka dhënë rezultat, qoftë në aspektin e moralit shoqëror, qoftë në aspektin e të ardhurave për individët dhe për shtetin”, u shpreh Rama.
Ndërsa, Arben Ahmetaj, ministri i Rindërtimit, tha se me programin e PD-së, “shteti falimenton që në vitin e dytë të mandatit të parë”. (A2 Televizion)