
Eksperti i financave dhe buxhetit, Sherefedin Shehu, analizoi për A2 CNN programin e qeverisë "Rama 3” sa i përket infrastrukturës, duke e cilësuar si “vazhdimi i asaj që ka nisur jo në 8 vitet e kësaj qeverie, por para kësaj qeverie”.
“Kjo qeveri nuk ka përfunduar ende projektet e mëdha infrastrukturore që ishin nisur dhe një pjesë e tyre, si Rruga e Kombit, ishin në përfundim. Në Shqipëri, flitet për hekurudha dhe aeroporte, që mund të konsiderohen infrastrukturë luksi në raport me standardin ekonomik të qytetarëve shqiptarë. Ne nuk kemi ende turizëm elitar për fluturimet “charter”. Kështu që, mendoj se Shqipëria ka prioritete të tjera”, theksoi Shehu.
“Është më shumë program elektoral sesa qeverisës, pasi, që të realizohet, programi duhet të ketë zbërthim specifik sipas ministrive dhe duhet të kishte afate konkrete për realizimin e projekteve”, shtoi eksperti i financave.
Sa i përket ringritjes së ekonomisë, Shehu tha: “Nuk pres ndonjë ndryshim, pasi punësimi dhe zhvillimi ekonomik nuk adresohen nga ky program. Nuk kemi projekte për nxitjen e punësimit. Gjithashtu, mungojnë investimet e huaja në vend”. (A2 Televizion)