Kuba është e angazhuar që të shpëtojë një prej thesareve të vetë nënujor, shkëmbinjtë koralorë. Ato janë dëmtuar, për shkak të peshkimit pa menaxhim, ndotjes por edhe prej efekteve të ndryshimit të klimës.
Shkëmbinjtë koralorë janë një prej ekosistemeve me bio-diversitetin më të madh dhe më të rëndësishëm në glob. Sipas studimeve, përllogaritet se në një moment të caktuar, 25% e jetës detare varet nga shkëmbinjtë nënujorë.
Sipas ekspertëve të biologjisë detare në ishull, Kuba ka shkëmbinjtë nënujorë të mbrojtur më mirë në Karaibe. Në Guanahacabibes, provincën perëndimore të Pinar del River, shteti investoi në projekte për ripopullimin e tyre, prej dëmtimeve të pësuara nga ngrohja globale, por edhe nga dora e njeriut.

“Për shumë vite, shkëmbinjtë nënujorë kanë vuajtur për shkak të peshkimit të tepruar, ndotjes apo prej ndryshimeve klimaterike. Është për të ardhur keq. Këto pasoja nuk zhduken për dy muaj, koha është e shkurtër. Aktualisht, në zonën ku veprojnë nuk ka pasur asnjë ndryshim. Momentalisht, problemi kryesor për koralet lidhet me temperaturën e lartë të ujit. Ndryshimet klimaterike nuk do të zhduken vetëm pas dy muajve që njerëzit u izoluan në shtëpi”, thotë Pedro Pablo Chevalier, nga Akuariumi Kombëtar i Havanës.
Pedro Pablo Chevalier, i cili është drejtuesi i departamentit të Biodiversitetit në Akuariumin Kombëtar në Havana, shpjegoi objektivat e projektit.

“Ky projekt që kemi nisur, ka si synim që të ndihmojë shkëmbinjtë nënujorë që të rikuperojnë funksionet ekologjike, funksionet e ekosistemit dhe të rrisë biodiversitetin e koraleve. Ky është sekreti, sa më i madh të jetë diversiteti, aq më shumë shanse kanë koralet që t’i mbijetojnë ndryshimeve kaq të shpejta që po ndodhin në mjedisin detar. Ndryshimet në të gjithë globin janë shumë të shpejta dhe jo të gjitha speciet janë të përgatitura të përshtaten me këtë situatë. Ne po mundohemi të bëjmë një përzgjedhje të asistuar dhe një evolucion të asistuar të këtyre koraleve, në mënyrë që të jenë më tepër rezistente ndaj temperaturave të larta, acidifikimit të oqeanit apo ndotjes së ujërave të detit në Karaibe”, thotë Chevalier.
Ai tregon se ka më tepër se 500 fragmente koralesh të shpërndara në mjedisin natyror për kultivimin e koralit, në një shkëmb nënujor që ishte shkatërruar nga stuhia. Gjithsesi, ai tha se mbetjet plastike, mbeturinat dhe kanaçet rrezikojnë t’i vrasin koralet.

“Qyteti jonë, Havana, ka thuajse dy milionë banorë dhe gjeneron shumë mbeturina, pavarësisht se ato nuk përfundojnë të gjitha në det. Kur nisin reshjet, ujërat që rrjedhin drejt detit transportojnë shumë mbetje. Nuk mund ta imagjinoni sasinë e kanaçeve apo të mbeturinave që shkojnë në det dhe nuk mund të dekompozohen. Nevojiten qindra vjet që një kanaçe të shpërbëhet në det, ndërsa nuk është e nevojshme që të përmendim këtu edhe plastikën. Ato ndikojnë në jetën e shkëmbinjve nënujorë, jo vetëm me ndotjen që shkaktojnë në ujë. Kur qeset plastike, shishet apo kanaçet i mbulojnë koralet, ato praktikisht i pengojnë të marrin frymë dhe i zhdukin. Gjithashtu nuk i lejojnë edhe që drita të arrijë te koralet dhe kjo është shumë e dëmshme”.
Chevalier thekson gjithashtu se një prej problemeve kryesorë të koraleve lidhet me faktin se ato janë të ekspozuara ndaj temperaturës së lart të ujit. Ky proces njihet edhe si “zbardhimi koralor”, duke bërë që koralet të largojnë algat dhe i cili shkakton vdekshmëri të konsiderueshme. “Ndryshimet klimaterike ndikojnë në ekosistem, ato ndikojnë në të gjithë jetën e planetit. Në rastin specifik të shkëmbinjve koralorë, rritja e temperaturës së ujit të detit dhe kur mbi të gjitha kjo ndodh në tropik, shkakton ndikim të drejtë për drejtë te koralet. Ndryshimi i temperaturave mbi normat normale, shkakton edhe atë që njihet si “zbardhimi koralor”, i cili nuk është asgjë tjetër veç humbje e algave simbiotike që jetojnë përkrah koraleve, nga stresi i nxehtësisë”.

Në vitin 2014, kur ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe homologu i tij kubanez, Raúl Castro promovuan rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, u nënshkruan disa marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit. Mes tyre ishte edhe akordi i parandalimit të derdhjes së naftës në Gjirin e Meksikës.
Kur dy vendet nisën bashkëpunimin, edhe Akuariumi Kombëtar i Kubës firmosi një marrëveshje me Akuariumin e Floridas. Prej vitit 2017, zhytësit nga Havana dhe Florida ndërtuan një çerdhe për mbjelljen e koraleve në Guanahacabibes. Ata ankoruan 20 pemë, në të cilat ishte e mundur që të mbështeteshin deri në 60 fragmente koralesh në dyshemenë e oqeanit.
Krahasuar me barrierat e tjera koralore në Karaibe, shumë prej koraleve në Kuba janë mahnitëse. Ato presin variete më të mëdha speciesh dhe në numër më të madh. Gjithashtu, shkëmbinjtë nënujorë të ishullit cilësohen virtualisht të pacënuara nga njerëzit. Në Kuba mund të gjenden korale, të cilat nuk ndeshen në asnjë vend tjetër prej afro 50 vjetësh.

Shkëmbinjtë koralorë janë të plotë kur kanë shumë peshq dhe të të gjitha përmasave. Koralet në Kuba dhurojnë imazhe fantastike, pasi aty gjenden specie të vogla dhe të mëdha, që nuk jetojnë më në shumë vende të tjera. Ato janë lidhja kryesore e një zinxhiri habitatesh, që përfshin kënetat bregdetare me oqeanin më të thellë.
Shpëtimi i koraleve në këtë zonë është i rëndësishëm, mbi të gjitha për degradimin e paprecedentë të mjedisit. Sipas raporteve të studiuesve, prej vitit 1970, shtresa koralore në Karaibe ka pësuar rënie me 50 për qind. Pa një veprim të menjëhershëm dhe kuptimplotë, shkëmbinjtë koralorë rrezikojnë të zhduken krejtësisht nga rajoni, ndërsa fatkeqësisht situata është po aq alarmante edhe në pjesë të tjera të globit.
Ekosistemet e shëndetshme koralorë në Kuba japin shpresë dhe shërbejnë si një laborator i gjallë, për të ndihmuar në mbrojtjen dhe restaurimin e shkëmbinjve nënujorë në të gjithë Karaibet. (A2 Televizion)