VIDEO| “Deshën të më ‘prisnin kokën’ politikisht”, Dashnor Sula: Nuk nxjerr gjë në pazar, por do t’u qis ujët e zi

Nga A2 CNN
29 Qershor 2025, 21:38 | Politikë

I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka folur hapur për presionet që ka pasur brenda PD-së.

Sula deklaroi se është përballur me qasje intimidimi dhe tentativa për t’i “prerë kokën” në kulmin e karrierës së tij politike.

“Ndaj meje ka pasur sjellje apo qasje, apo intimidim, ose mënyra për të më frenuar, por unë kam përdorur një shprehje me njerëzit lart në PD: Unë jam person që edhe në jetën e përditshme nuk i shkel vijat e kuqe. Çfarë kam parë, çfarë kam dëgjuar dhe çfarë kam folur brenda ambienteve të PD-së dhe me individë të lartë të PD-së, nuk jam nga ata që e nxjerr në pazar gjënë,” tha Sula në Off The Record.

Megjithatë, deputeti demokrat theksoi se nuk do të qëndrojë i heshtur kur bëhet fjalë për të vërtetën dhe për të pastruar plagët brenda partisë. “Por nga pikëpamja politike do t’iu qis ujët e zi për respekt të demokratëve, në respekt të integritetit tim dhe të familjes sime, të cilët ju që jeni lart në PD deshët të shkatërronit karrierën time politike dhe që e arritët duke më prerë kokën në kulmin tim të karrierës,” deklaroi ai për gazetarin Andrea Danglli.

Sula shtoi se nuk e bën këtë për hakmarrje, por për të ndihmuar në shërimin e plagëve që po e mbysin Partinë Demokratike. “Kjo nuk është çështje hakmarrjeje absolutisht, por sa të kem frymë unë do të luftoj që të shëroj ato plagë,” tha ai.

Deputeti tha se nuk ka frikë të përballet me të vërtetën: “I kam thënë se nuk kam frikë, jo se jam me muskuj, por kam trimërinë e së vërtetës.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos