Lionel Messi përjetoi një nga zhgënjimet më të mëdha të karrierës, pasi Inter Miami u shkatërrua me rezultatin 4-0 nga ish-klubi i tij, Paris Saint-Germain, në ndeshjen e 1/16-ave të Kupës së Botës për Klube të zhvilluar në Atlanta.
Megjithëse Inter Miami e përfundoi fazën e grupeve pa humbje, përballja me kampionët e Europës zbuloi diferenca të mëdha, shkruan A2 CNN.
PSG nisi vrullshëm, kur Khvicha Kvaratskhelia kaloi lehtësisht në mbrojtjen amerikane dhe i dha mundësinë Bradley Barcola-s të testonte portierin Oscar Ustari. Pas këtij sinjalizimi, goli erdhi shpejt: vetëm në minutën e gjashtë, João Neves u lejua të lëvizte i lirë pas një goditjeje dënimi të Vitinha-s dhe e dërgoi topin në rrjetë me kokë.
Skuadra e Javier Mascherano-s mbajti gjallë shpresat për të ruajtur rezultatin deri në pushim, por Parizienët treguan forcën e tyre në fund të pjesës së parë. Fabián Ruiz fitoi një top të artë pranë zonës kundërshtare, bashkëpunoi bukur me Barcola-n dhe i dha mundësinë Neves-it të shënonte edhe golin e dytë personal. Situata u përkeqësua më tej, kur mbrojtësi Tomás Avilés devijoi një kros të Désiré Doué në portën e tij, ndërsa Achraf Hakimi e vulosi festivalin e golave me një finalizim të saktë pas një traversë.
Në pjesën e dytë, Inter Miami luajti vetëm për nder. Messi u përpoq të linte gjurmë, por u ndal dy herë nga Gianluigi Donnarumma, duke mos arritur të shtonte golin e shtatë personal në këtë turne. PSG uli ritmin, por Barcola rrezikoi sërish me një gjuajtje të devijuar. Në fund, Herons nuk arritën të gjenin rrugën drejt rrjetës dhe u eliminuan, ndërsa PSG do të qëndrojë në Atlanta për çerekfinalen kundër fituesit të çiftit Flamengo–Bayern Munich.
(A2 Televizion)