
Gjysma e dytë e sezonit rezultoi pikë kthese për titullin e Tiranës, me trajnerin Emmanuel Egbo që gjeti menjëherë mangësitë në formacion dhe thuri një formacion me mentalitet fitues e cila rezistoi deri në fund.
Një prej lojtarëve kyç të mesfushës bardheblu ishte Jurgen Çelhaka, talenti 19-vjeçar i Akademisë, i cili kërkon që sukseset e Tiranës të mos ndalen me fitimin e kampionatit: "Mendoj se klubi do të bëjë përforcimet e nevojshme për Evropën. Pse mos ta bëjmë edhe ne atë që bëri Skënderbeu".
Zërat për tensione dhe polemika herë pas here brenda grupit i konfirmon edhe kapiteni dhe lojtari simbol i Tiranës, Gentian Muça, por që me ardhjen e rezultateve u rikthye dhe harmonia, ndërsa sipas veteranit të bardhebluve, situata të tilla janë prezente në të gjithë klubet e mëdha: "Tensione ka kudo, por rezultatet na dhanë qetësi".
Në fund, Muça tregon edhe vlerësimin për tifozerinë bardheblu: "Me të parët që do ta ndaja gëzimin janë tifozët, pastaj me familjen". (A2 Televizion)