
Ndryshe nga dy legjislaturat e fundit, Kuvendi do të ketë vetëm dy grupe parlamentare, PS e PD. Aleatët e Lulzim Bashës, si LSI apo të vegjlit që garuan në siglën e demokratëve, janë në pritje të një marrëveshjeje për të huazuar deputetë të PD-së, me qëllim përfitimin e benefiteve që gëzojnë grupet parlamentare në Kuvend.
Numërimi i votave të 25 Prillit prodhoi në sallën e Kuvendit dy grupe parlamentare. Socialistët për herë të dytë do të mund të jenë shumicë me 74 vota në Parlament, kësisoj edhe si grupi më i madh parlamentar.
Situata në kampin opozitar duket më e ndërlikuar. Koalicioni opozitar mori besimin për 59 ulëse në Parlament, duke formuar edhe grupin e dytë parlamentar. Brenda ulëseve demokrate janë edhe aleatët e partive të vogla. Konkretisht, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Nustret Avdulla janë 3 deputetët e PDIU-së, të ndjekur nga kryetarët e partive të tjera aleate si Agron Duka, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi e Vangjel Dule.
Nëse të gjithë bëhen bashkë, arrijnë numrin 7 që përbën kuotën minimale për formimin e një grupi parlamentar. Por, ndasitë ndërmjet Idrizit e Dules duket se kanë detyryar aleatët e tjerë t’i kërkojnë deputetë hua Bashës, gjë që ka ndodhur edhe në 2017-n, kur Fatmir Mediu krijoi grupin e tij parlamentar me deputetë të marrë borxh nga lista e PD-së.
Në Parlament arritën të futen edhe dy subjekte të tjera garuese në zgjedhje. LSI-ja, e cila garoi për herë të parë nën drejtimin e Monika Kryemadhit, mori vetëm 4 mandate, duke u tkurrur me 15 të tillë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, numër ky i pamjaftueshëm për të formuar një grup të sajin.
LSI-së i nevojiten 3 deputetë borxh, në mënyrë që zëri i tyre të ketë më shumë minutazh në Parlament, por mundësitë duken të pakta që t’i gjejë ato mes radhëve të PD-së, pasi marrëdhënia mes tyre duket e ngrirë që pas zgjedhjeve parlamentare.
Partia tjetër është PSD-ja e Tom Doshit, me tre deputetë. (A2 Televizion)