
Sistemi zgjedhor, i padrejtë dhe pabarazia ekonomike, ishin disa nga faktorët që nuk lejuan hyrjen në parlament të forcave të reja politike. Këtë mendim ndau në “Dita jonë” kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani.
“Ky është sistem zgjedhor i padrejtë, favorizon ata që e kanë dizenjuar sistemin. Janë 10 mijë e 216 qytetarë që na besuan dhe nuk përfaqësohen në parlament, se sistemi zgjedhor nuk i favorizon. Ka disa faktorë që ndikojnë në rezultat. Nuk është ajo që do donim, gara ishte e padrejtë, sistemi zgjedhor dhe pabarazia ekonomike, Kodi Zgjedhor i jep 1.4 miliardë lekë të vjetra partive kryesore PS-PD-LSI që nuk kanë nevojë për këto para, kurse forcave të reja jo dhe janë të pafavorizuara për të bërë fushatë”.
Duke vlerësuar televizionin A2 për qasjen e drejtë ndaj të gjitha forcave politike, dhe dhënies zë të forcave të reja, Shabani shprehet se ka pasur media që kanë favorizuar partitë e vjetra, apo emisione me pagesë nga njerëz të caktuar.
“Ju bëni përjashtim i kini dhënë zë, por jo të gjitha mediat. Më kanë lënë shije të hidhur emisionet me pagesë, njerëz që paguajnë për të qenë në studio televizive, nuk e dija që ekzistonte. Ky është një mashtrim që i bëhet shikuesit. Kjo e bën të padrejtë garën”.
Ai shprehu vendosmërinë për të vijuar aksionin dhe konfirmoi pjesëmarrjen në garë për zgjedhjet bashkiake. Shabani thekson se e rëndësishme është që të fitojë modeli.
“Ne do vazhdojmë aksionin do garojmë edhe në zgjedhjet bashkiake, por gara është e pabarabartë në shumë nivele. Nuk kemi në plan ta lëmë në mes këtë rrugë. Po shohim si të jemi më efektivë. Ne kemi të rëndësishme që duhet të fitojë modeli, jo ne. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën e të bërit politikë”. (A2 Televizion)