
Të paktën shtatë palestinezë, mes tyre një zyrtar i lartë i sigurisë së Hamasit, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore dhe ekipet e emergjencës.
Mes viktimave është Naeem Abu Nahel, kreu i shërbimit të sigurisë së brendshme të Hamasit. Sipas Ministrisë së Brendshme në Gaza, ai u godit në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës. Abu Nahel, 50 vjeç, kishte marrë këtë detyrë vetëm në muajin shtator, pas kapjes së paraardhësit të tij gjatë një operacioni të forcave speciale izraelite, shkruan A2.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmuan vrasjen e tij, duke deklaruar se ai ishte “eliminuar” nga ushtria izraelite.
Gjashtë viktimat e tjera humbën jetën në dy sulme të mëparshme ajrore në zona të ndryshme të Rripit të Gazës.
Tre persona, mes tyre një adoleshent, u vranë në zonën e Wadi Gaza, në jug të qytetit të Gazës. Ndërsa tre të tjerë u vranë gjatë një sulmi ndaj një stacioni policie në zonën al-Mawasi, në perëndim të Khan Younis. Sipas autoriteteve lokale, dy prej viktimave në këtë sulm ishin efektivë policie. (A2 Televizion)