
CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare kanë pësuar një sulm kibernetik, që ka prekur informacione të paklasifikuara, bëjnë të ditur për CNN katër burime të njohura me çështjen.
Ndërhyrja ka prekur një sistem që agjencitë përdorin për analizën e inteligjencës nga burime të hapura, tha një prej burimeve.
Shtrirja e plotë e sulmit nuk është ende e qartë, por zyrtarët theksuan se asnjë informacion i klasifikuar nuk është prekur.
“Nuk ka pasur ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve të klasifikuara”, i tha CNN një zyrtar i ODNI-së.
CIA nuk pranoi të komentojë mbi ngjarjen.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se sulmi kibernetik mund të ketë origjinën në Kinë, megjithëse nuk është ende e qartë nëse në të është përfshirë qeveria kineze, thanë dy burime.
Nuk dihet ende se kur ka ndodhur sulmi apo nëse ai është neutralizuar.
Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI), e cila mbikëqyr 17 agjenci amerikane të inteligjencës, përfshirë CIA-n, ka investuar vitet e fundit në punën me inteligjencën nga burime të hapura, e cila shpesh përmban informacione të paklasifikuara. (A2 Televizion)