Mbi një mijë persona nga zonat e prekura nga tërmeti janë strehuar në hotelet e qytetit të Vlorës. Përveç akomodimit dhe trajtimit social të tyre, një vëmendje e veçantë po u kushtohet fëmijëve.
Thuajse të gjithë psikologët e shkollave, kopshteve dhe spitalit rajonal të Vlorës janë shpërndarë nëpër hotelet dhe kanë nisur trajtimin e fëmijëve të traumatizuar nga përjetimi i lëkundjeve dhe pasojave që la pas tërmeti i 26 nëntorit.
Përveç lojërave dhe aktiviteteve të ndryshme që organizohen me fëmijët, psikologët po u shpjegojnë në një mënyrë tjetër fëmijëve se çfarë është tërmeti.
Psikologët shprehen se gjendja emocionale e fëmijëve po stabilizohet me ritme të kënaqshme dhe po shkon drejt stabilizimit të plotë. (A2 Televizion)