Sulm ndaj radarit amerikan në Bahrein, Irani përshkallëzon konfliktin në Gjirin Persik

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 08:25 | Bota

Sulm ndaj radarit amerikan në Bahrein, Irani përshkallëzon

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa nga rajoni raportohen zhvillime të reja ushtarake dhe diplomatike.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë deklaruar se kanë goditur një radar amerikan të paralajmërimit të hershëm në Bahrein. Sipas tyre, sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj goditjes së një kulle telekomunikacioni në zonën e Sirikut, të enjten.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka vendosur të mos kryejë sulme të tjera ndaj Iranit, pas kërkesës së aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik. Deklarata vjen vetëm pak orë pasi Trump kishte paralajmëruar se nuk do të hezitonte të ndërmerrte goditje të reja ushtarake kundër Teheranit.

Një tjetër incident është raportuar në Ngushticën e Hormuzit. Marina e Gardës Revolucionare iraniane pretendon se një cisternë nafte ka goditur një minë detare, duke shkaktuar një shpërthim. Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të tjera mbi dëmet apo pasojat e incidentit.

Ndërkohë, Bordi i Paqes për Gazën ka bërë thirrje për zbatimin e planit të paqes të propozuar nga Donald Trump, pas sulmit izraelit ndaj Spitalit Nasser, ku mbetën të vrarë të paktën shtatë persona. Deklarata është kundërshtuar nga Hamasi, i cili akuzoi bordin se po përvetëson narrativën e Izraelit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos