Pushtimi i Ukrainës: Rusët kundër Putin, mijëra të arrestuar, mes tyre dhe fëmijë

Nga A2 CNN
3 Mars 2022, 16:21 | Bota
Pushtimi i Ukrainës: Rusët kundër Putin, mijëra të

Mijëra shtetas rusë nuk i mbështesin vendimet e presidentit Vladimir Putin. Për të treguar kundërshtinë e tyre për tentativën për pushtim të Ukrainës, qytetarët vërshuan në rrugë dhe sheshe të qyteteve më të mëdhatë Rusisë.

Manifestimi kryesor u zhvillua në Shën Petersburg. Megjithatë protesta janë mbajtur vazhdimisht thuajse çdo ditë në qytete të ndryshme të Rusisë, që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Kundërpërgjigja e autoriteteve ndaj këtyre grumbullimeve ka qenë tepër e ashpër. Sipas grupit monitorues, OVD-info, rreth 8 mijë persona janë arrestuar në total në të gjitha protestat kundër luftës përreth vendit që prej 24 shkurtit. Një e moshuar, pensioniste,77-vjeçare, u shoqërua nga një grup policësh, teksa protestonte kundër luftës në Shën Petersburg.

Ndërsa në Moskë, forcat e rendit ndaluan dy gra dhe 5 fëmijë që dëshironin të vendosnin lule në ambasadën e Ukrainës. Pamjet e publikuara në internet shfaqin fëmijët që mbajnë pankarta në duar me mbishkrimin: “I themi jo luftës”. Pasi u mbajtën për disa orë në një stacion policie, ata u lanë të lirë. Ndërkohë, ministria e arsimit e Rusisë njoftoi se nxënësit në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen një leksioni virtual me temë “pse misioni çlirimtar në Ukrainë është i nevojshëm”. Gjithashtu atyre do tu shpjegohet rreziku që paraqet NATO për Rusinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos