Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva u rizgjodh për një mandat të katërt të dielën, ai mundi aleatin e Donald Trump, Flavio Bolsonaro.
Kjo tregon se BRICS do të vijojë të ekzistojë. Udhëheqësi 80-vjeçar i majtë fitoi më shumë se 51% të votave, duke siguruar një fitore në balotazh. Kjo vjen pas një fushate të dominuar nga shqetësimet mbi koston e jetesës, krimin dhe korrupsionin. Lula falënderoi popullin brazilian për “bujarinë” e tyre, veçanërisht të rinjtë e vendit që “dolën në rrugë për të mbrojtur demokracinë”.
“Kjo fitore nuk është vetëm e imja. Kjo fitore ju përket juve. Dua ta dini se gjithçka që bëj, e bëj duke menduar për ju. Të gjitha politikat publike hartohen duke pasur parasysh ju. Dhe ju më keni dhënë nderin të jem presidenti i parë i Republikës që zgjidhet katër herë përmes rrugëve demokratike. Kjo është një arritje historike, të cilën ia detyroj popullit Brazilian”, tha Luiz Inácio Lula da Silva, President i Brazilit.
Rivaoli i tij, Bolsonaro, i cili është rreth 4.4 milionë vota prapa Lulës, tha se ekipi i tij do ta kundërshtojë rezultatin pas vendimit të minutës së fundit të Gjykatës Supreme për të zgjatur votimin me dy orë. Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro, vuri në dyshim një vendim të marrë vonë të dielën nga një gjykatës i Gjykatës Supreme për të zgjatur procesin e votimit me dy orë, për shkak të parregullsive të pretenduara lidhur me transportin e votuesve. Ai deklaroi se do të kërkojë anulimin e rezultatit.
"Ajo që ndodhi nuk ishte normale; ishte krejtësisht e papranueshme. Një gjykatës i Gjykatës Supreme – për herë të parë në histori. Një ish-avokat i Lulës, me një të rënë të thjeshtë të penës dhe me kërkesë të një ish-bashkëpunëtori, ndryshoi rregullat e lojës pikërisht në mes të përballjes. Në orën 17:01, gjykatësi Zanin i cili nuk është anëtar i Gjykatës Zgjedhore dhe që ka shkelur sistemin gjyqësor të specializuar, vendosi t'i shtyjë zgjedhjet me dy orë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Brazilit”, tha Bolsonaro.
Rezultati i zgjedhjeve ka implikime të rëndësishme gjeopolitike. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte mbështetur Flavio Bolsonaron, duke shpresuar të lavdëronte një tjetër "sukses" në Amerikë, pak më shumë se një javë para zgjedhjeve të mesmandatit. Pozicioni i Bolsonaros në Shtëpinë e Bardhë ka të ngjarë të bjerë ndjeshëm, pasi Trump ngurron të shoqërohet me humbësit e zgjedhjeve.
Rezultati i zgjedhjeve do të ketë pasoja përtej Brazilit, duke e mbajtur vendin më të madh të Amerikës Latine në një rrugë më të pavarur të politikës së jashtme nën drejtimin e Lulës, i cili ka theksuar sovranitetin e Brazilit dhe lidhjet më të ngushta me Jugun Global dhe Kinën mes tensioneve me administratën amerikane. (A2 Televizion)